Wednesday, June 5, 2024
Lajme

Romet kremtojnë Ditën e tyre

Romet 8 prilliEdhe në komunën e Gjakovës Romët me një javë aktivitetesh kulturore e sportive e  kanë shënuar 8 Prillin ditën Ndërkombëtare të Romëve. Manifestimi qendror u mbajt të enjten në pallatin e Kulturës  ku u fol për arritjet dhe sfidat e këtij komuniteti që në komunën e Gjakovës numëron diku mbi 700 rom.  U fol për historinë, traditën dhe kulturën rome ndërsa u hap edhe një ekspozitë me fotografi nga përditshmëria rome si dhe me punime artizanale të punuara nga vajzat rome.

Arif Cermjani kryetar i OJQ Amareo ternipe, organizatë kjo që përkujdeset për romët e Gjakovës, tha se ky komunitet meriton përkujdesje nga shoqëria kosovare për tejkalimin e vështirësive ekonomike e sociale, ndërsa Burbuqe Bakija Deva nga ministria e kulturës premtoi mbështetjen e projekteve që kanë për qëllim afirmimin e trashëgimisë së këtij komuniteti.

Në 8 Prill 1971 në Londër u organizua konferenca ndërkombëtare ku u vendos që data 8 Prill të jetë, “Dita ndërkombëtare e Romëve”. Aty u vendos edhe për flamurin dhe himnin Rom “Gelem Gelem” që së bashku me gjuhën rome i bëjnë romet një minoritet qartësisht të dallueshëm për nga vlerat e tyre të pasura etno-kulturore.