Thursday, April 11, 2024
AktualeSporti

Shkon Shosholli shkas dy humbjet e Vellaznimit në start

Shosholli_174279Kryesia e Klubit të Futbollit “Vëllaznimi” në mbledhjen e vetë maratonike të së hënës në mbrëmje, ka analizuar rezultatet e klubit në dy javët e para të stinorit pranveror të Ligës së Parë të Kosovës dhe me këtë rast ka lëshuar një njohtim për opinion, në të cilin theksohet:

Dy humbje në dy ndeshjet e para u vlerësuan si një dështim i madh i Vëllaznimit , pasi në këtë mënyrë u shkri përparësia prej 4 pikësh në krahasim me ndjekësin më të afërt (Istogun) bile u humb edhe pozita e kryesuesit duke ngelur tash 2 pikë pas kryesuesit.

Duke e analizuar situatën e krijuar, kryetrajneri i skuadrës, Ajet Shosholli, ka ofruar dorëheqje nga posti i tij. Pas shumë debateve, Kryesia e Klubit vlerësoi se është momenti kur ka nevojë për ndryshime. Edhe pse, kryetrajneri Shosholli në asnjë mënyrë nuk është vlerësua fajtor ekskluziv për këtë start befasues dhe shumë të dobët, Kryesia e Klubit njëzëri vendosi që të pranoi dorëheqjen e kryetrajnerit.

Vëllaznimin, në ndeshjen e të mërkurës me Ramiz Sadikun që luhet në Gjakovë, do ta udhëheqin anëtarët e mbetur të shtabit teknik, trajnerët Luan Tabaku dhe Agim Nura, ndërsa Kryesia e Klubit po bënë angazhime që në ndërkohë të gjej zëvendësuesin për Ajet Shoshollin, për të cilin u tha se ka merita të mëdha që Vëllaznimi e fitoi titullin e kampionit vjeshtor dhe krijoi përparësi solide në krahasim me rivalët.