Shoqata “Thirrjet e Nënave” me një ceremoni prekëse pranojnë donacionin humanitar nga shqiptarët e Amerikës
Sy të përlotur janë parë të premten në mbrëmje në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës në Gjakovë ku u organizua ceremonia e veçantë për ndarjen e donacionit të mbledhur në një mbrëmje artistike në New York. Drejtueset e shoqatës Thirrjet e nënave” me shumë emocione kanë falënderuar të gjithë ata që kanë organizuar një mbrëmje me një dedikim të veçantë për to.
Në fakt me rastin e 11 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në New York u organizua një mbrëmje e madhe, e cila përpos që ishte festive, iu kushtua edhe nënave të Gjakovës që humbën më të dashurit e tyre në luftën e Kosovës.
Kjo mbrëmje festive, por që lidhet edhe me një aspekt shumë tragjik në Kosovë, e që ka të bëjë me të zhdukurit, u organizua më iniciativën e biznesmenit dhe humanistit të madh shqiptar, Ramiz Kukaj, për të vetmin qëllim për të ndihmuar shoqatën “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova.
Kësaj iniciative i është përgjigjur një numër i madh i komunitetit shqiptar në Amerikë, duke i dhënë kështu përkrahje shoqatës së nënave, e cila është shumë aktive në kërkim të drejtësisë për gjetjen e më të dashurve të tyre, pra familjarëve, të cilët për 20 vjet më radhë konsiderohet të zhdukur.
Ashtu siç u kishte premtuar, Kukaj me origjinë nga Peja që tash e shumë vite punon në Amerikë, të premten në mbrëmje i shoqëruar nga babai Rrustemi, solli donacionin në vlerë prej 45 mijë dollarëve për nënat gjakovare.
E përfaqësueset e shoqatës, thanë se kujdesi që kanë treguar Ramizi me shokët dhe artistët shqiptar ndaj familjeve të të pagjeturve, është shumë më i rëndësishëm se sa vlera monetare. “Tash po ndjehemi më krenare se nuk jemi vetëm”!!!, thanë ato.
Në ceremoni u ndanë mirënjohje për gjithë ata që moren pjesë në mbrëmjen humanitare si dhe u shfaqen edhe disa pika artistike muzikore nga nxënësit e shkollës së muzikës Prenk Jakova si dhe recituan aktorja e mirënjohur Muradije Muriqi dhe Betim Shehu që u duartrokitur gjatë.