Shpallen fermerët e vitit 2014
Në përmbyllje të vitit kalendarik 2014, komuna e Gjakovës konkretisht drejtoria komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim rural, të merkuren ka përzgjedhur fermerët më të mirë të komunës së Gjakovës. Në një ceremoni modeste të mbajtur në ambientet e objektit të komunës, janë zgjedhur 5 fermerët më të suksesshëm të vitit 2014, të cilët përfaqësojnë 4 rajonet dhe zonën urbane të Gjakovës.
Kështu, juria e përbërë nga ekspertë të bujqësisë, si fermerin më të mirë në rajonin e Hasit e ka përzgjedhur fermerin Musa Berisha nga fshati Rogovë, i cili në 2.5 hektarët e vet kultivon perimtari dhe fidanishte. Si fermeri më i mirë i Rajonit të Dushkajës,është përzgjedhur fermerja Mejreme Ahmeti nga fshati Kralan. Ajo, përpos suksesit në mbjellje të drithërave dhe mollëve, është e njohur edhe në sektorin e blegtorisë. Fermeri më i mirë në Rajonin e Rekës së Keqe është përzgjedhur fermeri Vat Pali nga fshati Jahoc, i cili në mbi 25 hektarë tokë ka kultivuar me sukses drithëra të ndryshëm si dhe pemë e perime. Ai gjithashtu është i suksesshëm edhe në sektorin e blegtorisë.
Ndërsa, në rajonin e Rekës së Mirë, komisioni si më të suksesshëm e ka vlerësuar fermerin Sulejman Stojkaj nga fshati Skivjan, i cili tashmë është shndërruar në ekspert për kultivimin e mollëve dhe dredhëzave. E në pjesën urbane të Gjakovës, si fermeri më i mirë është përzgjedhur bletari Shkëlzen Zhuja, i cili tashmë ka kapacitet me mbi 100 shoqëri bletësh.
Ndryshe, gjatë kësaj ceremonie, është vlerësuar si e suksesshme edhe puna e drejtorisë komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural për vitin 2014, ndërsa nga drejtuesit e saj është premtuar se viti 2015 do të jetë shumë më i suksesshëm, për faktin se pritet rritje e madhe e subvencioneve dhe përkrahjes morale e material për të gjithë fermerët e komunës së Gjakovës.
Para shpalljes së fermerëve të vitit 2014, Bekim Ermeni, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural para fermerëve ka prezentuar raportin e punës për këtë vit, ku investimet direkte në sektorin e bujqësisë kanë qenë 415,531.80 euro. Prej kësaj shume, subvencione kanë qenë 215,119.25 euro, ndërsa investime kapitale 200,412.55 euro.