Spitali Fati im: 20-vjet nga lindja e foshnjës së parë me fekondim
Në Spitalin Fati im në Gjakovë, para 20 vitesh, për herë të parë në vend, lindi foshnja e parë me procedurat e Frytnimit të Asistuar që aplikohen te çiftet që kanë problem me arritjen e shtatzënive në mënyrë natyrale.
Pas dy dekadash, të shtunën me organizim të Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve te Kosovës, në Prishtinë u mbajt konferenca ndërkombëtare për të shënuar 20-vjetorin e foshnjës së parë të fekondimit In-Vitro (IVF) të lindur në Kosovë.
Kjo konferencë ofroi një mundësi të mirë për t’u informuar me përparimet shkencore që janë bërë në teknologjitë riprodhuese gjatë viteve të fundit permes prezentimeve nga profesionistë të njohur të shëndetit riprodhues.
Drejtues të Shoqates së Obstetërve dhe Gjinekologëve te Kosovës thanë se , Qëllimi ishte t’iu paraqesin të pranishmëve një pasqyrë të procesit të IVF, duke theksuar historikun, rrjedhën dhe praktikat aktuale tek ne dhe në botë. Me sesione interaktive dhe leksione informative, të pranishmeve u dha rasti që të mësojnë për mundësitë dhe kufizimet e IVF, si dhe të diskutojnë shqetësimet e mundshme etike.
Drejtuesi i Spitalit Fati im, që ka klinikat në Prishtinë e Gjakovë, gjinekologu, Afrim Muhaxhiri, që ka nisur me aplikimin e metodes In- Vitro për foshnjën e parë, tha se sfida e arritjes së shtatzënisë së parë me FAM ka qenë e madhe por tashmë Kosova ka përqindje të lartë të suksesit në këto metoda.
“Duhet ta rritim natalitetin, Kosova ka rënie të numrit të lindjeve dhe kjo është shqetësuese pēr ne si komb”- deklaroi ai.
Deputetja e Kosovës, ish-kryetare e Komisionit për Shëndetësi Albena Reshitaj kritikoi përfaqësuesit e Ministrisë se Shëndetësisë që nuk ishin të pranishëm duke thënë se ka nevojë për trajtim të projektligjit, njohtoi Kallxo.com.
“Ka dështuar dy herë projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar, ka rrezik që dështon për herën e tretë, prandaj ky projektligj ka nevojë për përmirësim neë mënyrë që të marrë votat e mjaftueshme të kuvendarëve sepse lë hapësirë për keqpërdorime si është edhe pjesa e nënave surrogate” – tha ajo.
Nga ana tjetër kryetari i Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës tha se Kosova ka kaluar në sfida të shumta drejt ngritjes së kësaj fushe.
“Vetë fakti që janë 20 vjet të FAM në Kosovë është mjaftë”.
Kjo konferencë ka sjellë profesionistë nga mbarë bota të cilët prezantuan të arriturat e fundit në botë në fushën e trajtimit të infertilitetit.