Saturday, April 27, 2024
Lajme

Të enjten shënohet 20 vjetori i rënies së heroit dhe muzikantit Ilir Soba

Të enjten më 18 Tetor mbushen 20 vjet nga rënia heroike e heroit të kombit Ilir Soba. Në kujtim të heroit, veprimtarit dhe muzikantit Ilir Soba në ditën e rënies organizohet një veprimtari përkujtuese, Dialog me figurë historike, ku do të marrin pjesë bashkëluftëtarë , familjarë, artistë , muzikantë, shokë e shoqe e tj. Ky aktivitet do të mbahet në Pallatin e Kulturës Asim Vokshi me fillim prej orës 19.00.
Po të enjten paradite prej ores 10.00 deri në orën 10.30 do të organizohen homazhe dhe do të vihen kurora me lule pranë varrit të heroit Ilir Soba.
Ja një pjesë nga biografia :
ILIR Mazllom SOBA
Ilir Soba lindi më 28 prill 1971 në Gjakovë. Rrjedh nga një familje intelektuale, prej babait Mazllom dhe nënës Serbeze, që të dy mësues në pension. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Si nxënës i klasës së katërt Ilir Soba në fletore kishte vizatuar hartën e Shqipërisë etnike. Mësuesja ia kishte shkyer fletën e fletores. Iliri ishte nervozuar shumë. Vetëm me ndërhyrjen e prindërve mësues qetësohet shpirti i Ilirit të ri. Pas shkollës së mesme u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Elektrotenik, dega e Automatikës. Por, në vitin e tretë u detyrua t’i ndërprejë studimet dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht më 25 maj 1998 në Shtabin e Gllogjanit përkatësisht në ZOD-it. Ilir Soba ishte i guximshëm, sypatrembur. Me pietet e kujtojnë dhe flasin për trimërinë e tij bashkëluftëtarët dhe bashkëvendasit e tij.
Madje, Ilir Soba ishte ndër të parët gjakovarë që u inkuadrua në UÇK. Në Gllogjan kreu stërvitjet ushtarake nën drejtimin e kapitenit Dritan Zeneli, tani dëshmor i kombit. Pas këtyre stërvitjeve nga Shtabi Operativ për Rrafshin e Dukagjinit në krye me komandantin Ramush Haradinaj u ngarkua me detyra të ndryshme, të cilat i kreu me sukses. Mori pjesë në vijën e parë të frontit në luftimet që u zhvilluan në Prejlep, Prekolluk, Lumbardh, Broliq, Jabllanicë të Gjakovës etj.
Më 17 tetor 1998 kur forcat serbe u vendosën në fshatin Kralan të Gjakovës, zonë kjo që deri atë ditë kontrollohej nga vëzhguesit e UÇK-së u bë konfrontim i hapur me forcat serbe. Po atë ditë në luftime mori pjesë edhe Ilir Soba. Të nesërmen, më 18 tetor, Ilir Soba u nis me luftëtarët që të zënë pozicionet në fshatin Kralan, me qëllim që t’i pengojnë depërtimet e ushtrisë serbe drejt bazave të UÇK-së në fshatrat e Dushkajës, si: Jabllanicë, Zhabel, Bardhaniq, Gërgoc, Maznik etj. Këtu u zhvillua një luftë e ashpër. Nga forcat serbe pati të vrarë e të plagosur. Pas kësaj beteje forcat e UÇK-së u kthyen në bazë. Por, Ilir Soba mungonte. Ai ra në fushë të nderit, gjoks për gjoks me forcat e armikut serb.
Në Mars të vitit 2018, me vendim të presidentit të Kosoves Hashim Thaqi, u shpall Hero I kombit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *