Të hënën fillon Viti ri akademik
Studentët e Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” në të tri Fakultete , të hënën nisin vitin e ri akademik . Këtë vit me indeks të këtij universiteti janë pajisur 470 studentë të rinj. Fakulteti i Edukimit në dy programet e saj, atë Fillor dhe Parashkollor, do të mirëpresë rreth 220 studentë të rinj. Fakulteti i Filologjisë, në drejtimin Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, në dy afatet si dhe pas uljes së pragut të kalueshmërisë ka pranuar mbi 140 studentë. Fakulteti i Mjekësisë, në programin Mami dhe Infermieri, do të mirëpresë rreth 110 studentë të rinj.
Rektori I Universitetit Shaban Buza tha se gjithçka është gati dhe do të fillojnë të hënën më 2 tetor. Sipas tij edhe pranimi solemn për studentët e vitit të parë do të bëhet të hënën në ora 10:00, nëpër fakultetet ku janë pranuar.
Rektori Buza përmes Radio Gjakovës uroi për fillimin e mbarë të vitit të ri akademik të gjithë studentët dhe mësimdhënësit me dëshirat më të mira për suksese dhe punë të palodhshme.