Teatri Hadi Shehu shfaq me 27 Nëntor premierën, “S’mund të Paguajmë, S’do të Paguajmë”
Teatri i qytetit “Hadi Shehu”, me 27 Nëntor shfaq premierën e tretë me radhë, komedinë “S’mund të Paguajmë, S’do të Paguajmë”, të autorit me famë botërore, nobelistin Italian, Dario Fo. Për të inskenuar këtë projekt të radhës, Teatrit i Gjakovës ka angazhuar regjisoren e re, Hana Qena. Ajo i takon familjes që ka dhënë shumë për teatrin dhe kulturën. Është mbesa e regjisorit Muharrem Qena i cili ka punuar shumë në të kaluarën me Teatrin e Gjakovës dhe për të cilin aktorët gjakovarë shpesh deklarojnë se e kishin mësues të “zanatit” të aktrimit.
Drejtori i Teatrit të Gjakovës, Edi Kastrati, thotë se bëhet fjalë për një regjisore të re që po ndjek rrugën e të atit dhe e cila është ndër më të mirat e kohëve të fundit, ndërkohë që Teatri i Gjakovës, përmes angazhimit të Hanes në ketë shfaqje, në një farë mënyre i shprehet falënderues përgjithmonë të madhit Muharrem Qena.
Sipas Kastratit, drama që është zgjedhur për tu trajtuar në këtë projekt të ri, mesazh ka realitetin që çdo ditë prek qytetarët. Teksti është shumë aktual dhe prek gjendjen sociale dhe ekonomike në Kosovë. Ndërsa shpreson që shfaqja me lojën e mirë të aktorëve do të mbushë sallën e teatrit.
“Një komedi aktuale e cila trajton problemet e përditshme dhe gjendjen e një pjese të caktuar të popullit, rrethanat të cilat i shtyejnë ata të duken ashtu dhe të veprojnë ashtu do ti kuptoni pasi ta shikoni shfaqjen.”, thotë Kastrati.
Në këtë projekt janë angazhuar aktorët: Myrvete Kurtishi, Ylber Mehmeti, Vlora Dervishi, Edmond Uka, Edmond Hafizademi, Valon Pallaska e Muradije Muriqi.