Monday, September 2, 2024
AktualeLajme

U përkujtuan 60 martirët e vrarë 15 vite më parë në Gjakovë

perkujtim vejsat Janë kujtuar të mërkurën masakrat e 2 PRILLIT 1999. Me këtë rast  është organizuar akademi përkujtimore për banorët e vrarë nga forcat paramilitare serbe me 1 dhe dy prill të vitit 1999, të Bashkësisë së parë lokale në Gjakovë.

Në këtë ceremoni përkujtimore ku merrnin pjesë familjarë të të rënëve, qytetarë e struktura të ndryshme shoqërore, politike e fetare nënkryetari i komunës Ramadan Hoti tha : “ Sot, kujtojmë dhimbjen e tmerrshme e cila ka ndodhur pikërisht pesëmbëdhjetë vite më parë, dhimbje e cila nuk erdhi natyrshëm, nuk erdhi nga krijesa e e cila i kishte krijuar, por erdhi nga kriminelët të cilët edhe sot e saj dite nuk i mposhti as drejtësia. Bashkësia e Parë Lokale dhe e tërë Gjakova ishte në flakët e kaluara, në plumbat që nuk kursenin as gjini, as moshë. Nuk kursenin asgjë sepse ishin ksenofob, donin të përmbysnin dhe të shkatërronin çdo qenie shqiptare, që si popull autokton, në këtë trevë kanë frymuar të parët, janë rritur dhe vdiqën, apo thënë më qartë dhe u vranë në trungun e tyre. Urrejtja dhe krimi erdhi i orkestruar nga pushteti i shtetit kriminal, por gjithashtu dhe nga ata fqinjë, që si kolonë kishin ardhur  dhe uzurpuar tokën tonë, e kjo sikur nuk u mjaftonte, sepse donin dhe jetërat dhe gjakun e shqiptarëve.

Për humbjen e më të dashurve të  familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi, Nushi e Gërqari, nënkryetari Hoti tha se : “ çfarëdo dhe sido që të flasim, nuk mund të gjejmë leksik për tu shprehur pikëllimi i rëndë, që sot në ne rëndon si një kujtesë e përjetshme dhe përkushtim i përhershëm. Çdo familje sot, posaçërisht ju që u tronditët, kanë me vete plagë që koha dhe vitet veçse i shtojnë dhe kujtimet e përbotshme janë kujtime malli dhe loti. Sakrifica e popullit tonë u shpagua me këta të rënë, me gjak të njomakëve, nënave, baballarëve, motrave, vëllezërve, bijve dhe bijave, por ne të gjithë së bashku jemi obligues që pasardhësve t’ua kujtojmë historinë e njëkohësisht të ndërtojmë perspektivën në shtetin tonë’ ka spikatur në këtë akademi nën kryetari i komunës Hoti.

Mevrlyde Saraqi në emër të bashkësisë së par lokale të qytetit tha se; “Masakrat e filluara në Kosovë mbi popullin shqiptar si hakmarrje për sulmet e NATO-s mbi caqet serbe,  me të madhe  vazhduan në anë të ndryshme të Kosovës, por caku ishte në Gjakovë dhe pikërisht në mesnatën mes 1 e 2 prillit ndodhi nata e tmerrshme. Ushtarët, policët, paramilitarët dhe rezervistët serbë atë natë shfryen tërë mllefin e tyre mbi krijesat e pafajshme.  Qëlluan dhe dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë. Në ritmin e krismave të rafalit të automatikëve  shtëpia digjej bashkë me trupat e njerëzve të gjallë e të vrarë, të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi, Nuçi të strehuar në shtëpinë e Lulzimit Vejses. Nga ana tjetër u vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpitë e tyre edhe  katër anëtarët e familjes Cana dhe katër të familjes Gërçari.

Më tutje Saraçi tha se  po mblidhen shënime dhe fakte, emra dhe fotografi për të gjithë personat e vrarë në këtë lokalitet dhe po përgatisim të ndërtojmë një kapitull historie të dhembshme por krenare, për të denoncuar krimin e bërë në mënyrë të argumentuar.

‘Prandaj, nga ky vend ju bej lutje që të na plotësoni me informacione, deklarata e dëshmi në mënyrë që kjo të jetë dëshmia më e madhe për krimet që i bënë kriminelët serbë e malazezë në bashkësinë tonë lokale”, ka thënë aktivistja Mevlyde Saraçi, kryetare e bashkësisë së parë lokale dhe organizatore e kësaj akademie.

Ndërkaq më 10 qershor në shtëpinë e tyre i kanë vrarë edhe Marije dhe Ndrekë Nushin. Në ndërkohë në emër të familjeve të vrarë ka fol edhe Nysrete Vejsa, e cila ka falënderuar komunën dhe gjithë qytetarët e Gjakovës për nderimin dhe respektin e të vrarëve për lirin e Kosovës.

“Banorët e Bashkësisë së parë lokale si dhe mbarë Kosova e kanë paguar me gjak dhe mund lirinë e Kosovës, prandaj duhet ta ruajmë si sytë e ballit dhe të vazhdojmë punën tonë për të jetësuar pavarësinë e Kosovës.  Martirizimi i tyre për lirinë e Kosovës na obligon që me ndershmëri ta vazhdojmë rrugën e pavarësisë”, ka thënë Vejsa.

mimoya te vejsatNdryshe , Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, e shoqëruar nga nënkryetari Ramadan Hoti, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Luan Gola, si dhe bashkëpunëtorët tjerë kanë bërë homazhe në varrezat e martirëve dhe të dëshmorëve në varrezat e qytetit si dhe në Çabrat. Homazhet janë bërë në nderim të të rënëve, martirëve dhe viktimave të pushtetit serb në pesëmbëdhjetëvjetorin e masakrës masovike të kryer kryesisht në Bashkësinë e Parë Lokale.

“Sot, ne kujtojmë dy prillin e kobshëm të vitit 1999, ku nga forca të ndryshme ushtarake, policore dhe paramilitare u kryen masakra mbi popullsinë e pambrojtur, duke mos kursyer as moshë dhe as gjini. Kjo na kujton sakrificën e madhe të popullit tonë në luftë për lirinë dhe pavarësinë e vendit  ku u derdh gjak i shumtë” ka pohuar kryetarja Mimoza Kusari Lila.