Saturday, April 27, 2024
Lajme

Vlerësohet gjendja e sigurisë në Gjakovë

Keshilli BashkesiseKëshilli Komunal për Siguri në Bashkësi, , ka mbajtur mbledhjen e dytë për këtë vit, ku është diskutuar rreth gjendjes së rendit dhe të sigurisë, gjendjen e ambientit si dhe përgaditjet për fillimin e vitit shkollor 2014/2015. Përkundër disa incidenteve të raportuara në Stacionin Policor në Gjakovë, komandanti i këtij stacioni, eprori Kristë Gjokaj, ka pohuar se gjendja e sigurisë në komunë nuk tregon ndonjë shqetësim të lartë. Sipas raportit të komandantit policor Kristë Gjokaj, në periudhën janar-gusht të këtij viti, në komunën e Gjakovës janë shënuar dy vrasje, tetë tentime për vrasje, si dhe një vetëvrasje.

Përsa i përket vjedhjeve të raportuara, gjatë kësaj periudhe tetëmujore në komunën e Gjakovës kanë ndodhur 275 raste të vjedhjeve, ndërkaq, përsa i përket vjedhjeve të klasifikuara si të rënda është raportuar të kenë ndodhur 272 sish. Për prishje të rendit dhe të qetësisë publike janë raportuar 59 raste, ndërkohë që është raportuar se janë evidentuar tetë raste të arrestimeve dhe bastisjeve me dyshimin për posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të substancave narkotike.

Gjendja e sigurisë në trafik është vlerësuar të jetë e mirë, pasi nuk ka patur aksidente me fatalitet për jetëra, ndërkohë që ndaj vozitësve në këtë periudhë të vitit janë shqiptuar 3.400 tiketa gjobitëse. Në këtë takim është diskutuar edhe për dukurinë e lypsarëve dhe shtimin e numrit të tyre, ku nga eprori policor, Kristë Gjokaj, është bërë e ditur se shumica janë nga Shqipëria dhe janë shënuar edhe raste ku janë deportuar.

Nga anëtarët e KKSB-së është kërkuar që të ketë angazhim shtesë në lirimin e trotuareve prej makinave të parkuara si dhe lirimin e të njëjtave hapësira prej shitësve ambulantë të cilët tregtimin e bëjnë në hapësira joadekuate. Diana Çarkagjia, drejtore e Drejtorisë së Arsimit ka pohuar se janë bërë të gjitha përgaditjet e duhura për fillimin e vitit shkollor 2014/2015, duke u nisur që nga infrastruktura, plotësimi i kuadrit arsimor si dhe sigurimi i transportit për rreth 900 nxënës. Shkolla “Yll Morina”, për shkak të intervenimeve shtesë në rregullimin e hapësirës brenda në objekt, do të nisë procesin mësimor në muajin tetor.

Mirëpo, që nxënësit të mos mbeten në pritje mësimin përkohësisht do ta vijojnë në shkollat “Fehmi Agani” dhe “Mazllum Këpuska”. Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike është bërë e ditur se janë kryer të gjitha përgaditjet për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror 2014/2015.