Friday, April 26, 2024
Kulturë

Yllka  Domi, poetja që e deshi lirinë!

Ishte vetëm 16 vjeqare, por ishte dukshëm më e veçantë se bashkëmoshatarët e saj. Aktiviste e gjithanshme, valltare, aktore, poeteshë e në fund edhe lufëtare për liri e dëshmore. Ishte kjo Yllka Domi, që me vepren e saj ka lënë nga një copë shpirt të vetin tek secili që e ka njohur e që nuk e ka njohur gjatë jetës së saj të shkurtër.

Yllka Domi u lind më 18.08.1982, në Gjakovë. Pas kryerjes së shkollës fillore, u regjistrua në gjimnaz. Klasën e tretë të gjimnazit nuk arriti ta përfundonte. Emri i Yllkës filloi të bëhet i njohur që nga mosha 12 vjeçare me vjershat e botuara në Zog mëngjesi dhe pastaj në revistën Gjimnazisti. Ishte nxënëse e shkëlqyeshme.. Kur policët ia vunë zjarrin shtëpisë, u dogj gjithçka, edhe përmbledhja me poezi që e kishte në dorëshkrim. I mbetën vetëm dy fletoret e vogla, që i mbante në xhep kudo që ikte nga zjarri dhe nga plumbat e armikut. Këto dy fletore, thonë prindërit, i kishte si bukë, i ruante si sytë e ballit, i bante me vete dhe kujdesej si për foshnjën, që kur të çliroheshim, t’i publikonte. Njëra ishte me poezi, kurse tjetra përmbante ditarin e ditëve të tmerrit e të ferrit. Për fat të keq, edhe ato u zhduken bashkë me trupin e saj. Tragjedi e shumëfishtë ! Gjaksorët e vranë edhe atë, edhe poezitë, edhe ditarin. I vranë tri dëshmitë e mëdha kundër veprimeve të tyre kriminale: ndaj njeriut, letërsisë dhe historisë.

E vranë shpirtin poetik madhor të vashës së mitur !

Vallë, cilat janë ato poezi ? Çfarë shkruhet në ditarin e Ana Frankut shqiptare ? Rrjedh nga një nënë bujare dhe baba të qetë dhe intelektual. Shtëpi patriotike. Gjyshi i saj, Kasemi, për ide kombëtare u dënua dhe vuajti burgun në Goli – Otokun famëkeq. Babai Afrimi u dënua me dy vjet burgim, sepse e formoi qeverinë paralele. Para luftës, kur situata ishte e nderë, ishte ndër të parët, ndonëse i dënuar dhe i ndjekur që e hapi derën për të zhvendosurit nga zonat e luftës. Shtëpia e Yllkës ishte e mbushur me të zhvendosurit nga fshatrat Nec, Shishmon e Junik. Yllka u lexonte të rinjve poezi dhe të vegjëlve u tregonte përralla. Gjatë luftës, kur sipas radhës nëna i përfundonte gjellërat dhe ushqimet për ushtarët e UÇK-së, të cilët gjendeshin në Çabrat, Yllka mezi priste t’u dërgonte duke u përvjedhur nëpër shtëpi, pullaze, mure…

U vra me 7 maj 1999, në sythin e pranverës. Gjaku i saj i njomë ra si vesë mbi lulëkuqet rrëzë Çabratit, të cilat tash, sa herë që lulëzojnë, janë më të kuqe dhe me aromë lirie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *