Thursday, April 25, 2024
FejtoneGjakova Presss

Zeja e Kutigjive po shkon në harresë!

Intervista : Ruzhdi Qarri

Gjakova njihet si qytet i traditës për zejet e shumta. Në kompleksin e Çarshisë së Madhe   një rrugë ka të veçantat e veta. Quhet rruga e kutigjive. Dikur këto kuti që prodhoheshin me një përkushtim të madh ishin produkt shumë i kërkuar. Nuk bëhej dasmë pa kutitë ku nusja e dhëndëri vendosnin rrobat solemne. Nën hijen e pjergullave të rrushit shtrihen punëtoritë e zdrukthëtarëve të cilët kanë punuar produkte të shumta prej druri. Dominojnë zejtaret e familjes Qarri, prandaj edhe është quajtur rruga e Qarrit-kutigjive. Aty janë punuar e edhe tash punohen, djepa, sofra, kuti e tj. Kësaj radhe mësojmë më shumë për kutigjit të cilët e kanë pas Sullin-(organizimin) e vet. Për këtë zeje flasim me 65 vjeçarin Ruzhdi Qarri, i cili vazhdon traditën qindra vjeçare të familjes

 Pse u kanë thënë kutigji?

Kutigji  u kanë thënë sepse i kanë punuar kutit. Përpara nuk ka pas çanta adekuate për vendosjen e rrobave e gjësendeve tjera të nusërisë. Kanë qenë kutit apo arkat që i punonin kutigjit. Për me i punu kutit është  dashtë me qenë zdrukthëtar. Ata  e kanë pas zanat me punu kutia,  por kanë punuar edhe djepa. Gati të gjithë zdrukthëtarët kanë punuar  djepa, sofra, magje… varësisht çka u kërku nga druri at kohë.

A ka mundësi me ju shpjegua se çka janë këto kutia ? Brezi i ri as që e imagjinon se sa të rëndësishme kanë qenë këto kutia?

Kutit, sidomos ato që janë punuar në Gjakovë, kanë qenë të veçanta më duket. Janë punuar të dizajnuara bukur  me lule e ngjyra. Me siguri i kanë punuar edhe në qytetet tjera,  por në Gjakovë kanë qenë kutit me lule. Janë punuar dhe  përdor dy apo tri  palë kutizash,  varësisht prej asaj se sa njerëzit i kanë pasur kushtet me i ble. Atëherë,  qyteti i ka marrë (ble) disa kutia tjera që i kanë thënë kuti batalle. Kanë qenë më të mëdha. Pastaj kutit pantoshe. Iu  kanë thënë atyre kutive të mesme,  i kanë ble  nahija apo katundet,  varësisht prej kushteve. Kanë qenë edhe disa kutia të ndërmjetme,  që i kemi thënë ne. Ato i kanë blerë më tepër këta me kushte pak më të vështira .

Po kutit për çka i kanë përdorur ?

Kutit janë përdor për nuse, për pajën e nuses. Janë blerë par ose çift. Dmth. Dy kutia janë blerë. Familja e  nuses dhe e dhëndrit i kanë shti  teshat e veta, teshat kombëtare. Në atë kohë nuk ka pas luks tjetër,  nuk kanë pas ku i shtinë teshat. Kutitë kanë qenë vendi adekuat.

E përmende,  një karakteristik e kutigjive të Gjakovës kanë qenë lulet ?

Lulet,  kuptohet që e kanë zbukuruar kutinë,  janë duk më të bukura. Për atë dhe populli i ka blerë,  ma merr mendja mua. Kështu që zdrukthëtarët, shumica e kutigjive janë profesionalizuar në atë zanat edhe secili në mënyrën e vet . Megjithëse lulet kanë qenë të gjitha të njëjta por secili në at mënyrën e vet i ka vizatu  e i ka punuar ato lule. Si kam dëgjuar unë prej plakut dhe prej axhës që ka qenë më i vjetër,  këto lule apo dizajni i kutive ka ardhur nga Shkodra. Nga Shkodra,  thoshin,  edhe duhet me qenë e vërtetë,  i ka sjellë daja i gjyshit tim,  Adem Deva. E përmendin edhe dikë tjetër. Ka mund me qenë edhe dikush tjetër,  por gjyshi im e ka mësuar prej tij, prej dajës,  zanatin dhe kështu me radhë. Atëherë pa shegyrta nuk kanë mundë të punojnë. Me radhë kanë filluar familjet me mësu këtë zanat , si  zanat i nevojshëm i kohës që ka qenë edhe deri në ditët e sotme.

Ballina e revistes Gjakovapress me rrugën e Kutigjive

Pse i kanë thënë rruga e kutigjive?

I kanë thënë rruga e kutigjive sepse këtu në rrugën tonë,  në rrugën e Qarrit janë punuar kutit, por janë punuar edhe te Ura e pazarit. Dhe me kohën,  sa jam unë në ngjarje,  është formuar sulli apo bashkia e kutigjive. Ai ka mund me qenë edhe esnaf por esnafi është diçka më i gjerë, thënie më e gjerë. Në sull kanë marrë pjesë gjithë kutigjit e Gjakovës. Sa e di unë,  gjithë kutigjit e kanë pas kryetarin. Ka qenë axha im Ahmet Qarri,  mjeshtër i njohur, sekretar ka qenë Ramiz Gala atëherë më i riu ndër zejtarët. Edhe sulli  i ka mbledhë të gjithë kutigjit. Në marrëveshje me të gjithë,  axha si kryetar,  ditën e hënë,  kutit zakonisht janë shit krejt edhe janë shit si thash në dy vende në rrugën e Qarrit tek ne dhe në urën e pazarit me siguri në dyqanin e Ramiz Galës apo aty afër. Kështu që nëse janë shit të gjitha, atëherë është dhënë urdhër , me marrëveshje kuptohet,  që javën që vjen do ti prodhojmë nga 4 palë kutia,  dmth. 8 kutia apo 5 palë kutia , varësisht  nga kërkesa.

Kuti e punuar nga mjeshtri Ahmet Qarri në vitin 1938

Si ka qenë çmimi i kutive?

Siç ma shpjegonte baba, në atë kohë një palë kutia, një djep, një dash e kanë pas vlerën e një lire. Lira ka pas vlerë të madhe atëherë,  kështu që me një palë kutia ka mundur me jetu familja  edhe ndoshta 1 muaj e gjysmë a dy a?!

 Si ka rrjedhë ky zanat në familjen tuaj pastaj do dalim edhe tek familjet tjera ?

Ka punuar gjyshi im,  atëherë i ndjeri Rexhep Qarri me vëllanë e vet Smajl Qarri . Kanë punuar bashkërisht,  në fund ai është ndarë me një shygyrt të vetin me Mon Ponoshecin. Kështu që axha , atëherë si i ri,  ka filluar punën,  si me thënë 20 vjeçar , por kur ka shkuar ushtar e zënë gjermanët dhe e dërgojnë në Gjermani. Ka qenë nja 5 vjet,  sigurisht kur ai ka qenë atje në Gjermani,  këta kanë vuajt pak . Babai im ka qenë i ri atëherë. Kanë kaluar vitet dhe kanë filluar baba (Hamdi) me axhën (Ahmet) si më të vjetër me punu bashkë derisa ka ardhur momenti si vëllezër janë ndarë secili në punë të vet. Kanë filluar secili me djemtë e vet. Axha si më i vjetër i ka pas djemtë më të mëdhenj,  kuptohet Shkelzeni ka qenë një mjeshtër shumë i mirë dhe ka qenë punëtor i madh. Fillova unë në moshën 12-13 vjeçare me i ndihmu babës  me vëllezër dhe  kështu që bashkërisht e kemi vazhduar traditën e të parëve tanë për këtë zanat. Unë këtë zanat në fakt e kam trashëguar por edhe e kam deshtë, sidomos më pëlqen shumë dizajni edhe në këtë moshën time veç jam duke punuar.

Me vëmendje të posaçme iu keni kushtuar edhe historikut të kutigjive. A diheta kush kanë qenë kutigjit e Gjakovës?

Mbase më ka pëlqyer edhe më pëlqen ky zanat edhe në këtë moshë unë i kam mbledhë të dhënat kush kanë qenë kutigjit e Gjakovës. I kam marrë shënimet,  kuptohet edhe në bashkëpunim edhe me të ndjerin Avdullah Gola, me të ndjerin Ramiz Gala. Ata mi kanë dhënë si më të vjetër shënimet për më të vjetrit që kanë qenë . I kam shënimet për të gjithë kush ka qenë kutigji i Gjakovës . Secili familjar ka  punuar me djem. Mundë të ndodhë që kam harruar ndonjë por sigurisht se në të ardhmen do ta plotësojmë këtë listë;

AHMET QARRI me djem, 

HOMDI QARRI me djem,

TAFIL MORINA me djem,

DERVISH FAZLIJA-NEZIRI,

RAMIZ GALA me djem,

METUSH KUSARI,

ADEM GOLA,

AVDULLAH GOLA,

HYSNI GOLA me djem,

SADIK KUMNOVA me djem,

RAGIP KUMNOVA me djem,

SAKIP OSEKU me djem,

OSMON (MON) PONOSHECI me djem,

 ZEQIR ZEQA, BAJRAM ZEQIRI dhe

 NJAZI E SAMI GODENI.

 Çfarë lloji druri është përdor për kutia?

Për kutia është përdor druri bredh, i cili  është blerë zakonisht  në Mal të Zi…. (shkrimi plotë në Revisten Gjakovapress Nr.117)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *