10 vjet të Shkollës Gjon Nikollë Kazazi
Nxënësit dhe mësimdhënësit e Qendrës për arsimin dhe këshillim profesional “ Gjon Nikollë Kazazi”, kanë kremtuar 10 vjetorin e themelimit të kësaj shkolle profesionale.
Petrit Hasanaj drejtor i Qendrës për Arsim dhe Këshillim Profesional “Gjon Nikollë Kazazi”, ka folur për historikun dhe të arriturat e suksesshme të këtij kolektivi arsimorë në aftësimin profesional për shumë gjenerata. “ Komuna e Gjakovës tani më ka një qendër moderne për të zhvilluar metoda profesionalë me një fokus të veçantë, cilësinë dhe zhvillimin e aftësive teorike dhe praktike tekë nxënësit”, ka thënë Hasanaj
Për këtë Shkollë kryetarja e Komunës se Gjakovës, Mimoza Kusari Lila ka thënë se “Shkolla profesionale është një dëshmi shumë e mirë dhe model në vete për suksesin e një bashkëinvestimi që për qëllim ka ngritjen e nivelit të arsimit, duke shfrytëzuar rastin për të falënderuar Caritasin Zviceran dhe Dioqezën e Prizrenit të cilët mundësuan që në këtë objekt të hapën shtigjet për shumë breza që me frymën edukuese në një të ardhme të kontribuojnë me dijen e tyre.
Përfaqësuesi i Caritasit Zviceran Kreshnik Basha, në këtë manifestim ka thënë se kjo qendër do të ketë mbështetje financiare nga Caritasi edhe për dy vitet e ardhshme. Ndërkohë që Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Dodë Gjergji, ka shprehur përgëzimet e tij për kolektivin dhe nxënësit e kësaj qendre duke dhënë mesazhin se “ Dija dhe aftësimi profesional duhet të prekë jo vetëm mendjen por edhe zemrën”.
Në fund të këtij manifestimi të pranishmit kanë marrë pjesë edhe në ekspozitën e hapur me punime inovative të nxënësve të kësaj shkolle.