Tuesday, June 4, 2024
AktualeLajme

Lajmi më i gëzuar i 25 Prillit 2001

gjakova149zjShumë  data të rëndësishme ka Gjakova. Me 25 prill 2001 Gjakova shënoi edhe një datë në historinë e saj. U lirua grupi i 143 gjakovarëve nga burgjet serbe. Gjakova atë ditë ishte në festë. Rrugët ishin mbushur me qytetare të cilët po prisnin të sapoliruarit.  Kjo ishte një ngjarje që vinte pas dy vitesh të maltretimeve, vrasjeve e torturave që iu bë në burgjet serbe dhe dënimeve drakonike nga gjyqësia serbe.

Ishin gjykuar dhe  dënuar në këtë proces gjyqësor 143 pjesëtarë të Grupit të Gjakovës. Dënimet ishin drakonike. Me nga 13 vjet burg u dënuan 49 veta, me nga 12 vjet burg u dënuan 51 veta, me nga 10 vjet burg u dënuan 20 veta, me nga 9 vjet burg u dënuan 11 veta dhe me nga 7 vjet burg u dënuan 10 veta.

Ky vendim gjykate serbe dënonte 143 shqiptarë të pafajshëm nga Gjakova me 1632 vjet burg, apo me 16 shekuj, tre dhjetëvjetësha e 2 vjet burg.

Pas një presioni të fuqishëm ndërkombëtar e sidomos kushtëzimit të ndihmave nga qeveria amerikane Serbia i liroi të gjithë të burgosurit e Grupit të Gjakovës më 25 prill 2001, të cilët nën mbikëqyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar u kthyen në Gjakovë, e cila i priti me gëzim të madh. Shumë familjeve iu kthyen djemtë, burrat, baballarët. Ky gëzim nxori edhe më shumë pikëllimin e familjarëve të të zhdukurve, të cilët shpresonin se të dashurit e tyre të zhdukur do të ktheheshin të gjallë nga burgjet serbe.

Radio Gjakova, atë ditë,  programin  e shndërroi në program special duke mbajtur kureshtjen e dëgjuesve për  rrugëtimin e të liruarve nga burgjet serbe deri në shtëpitë e tyre.  Pos transmetimit në valët e radios, ishin vendosur zmadhuese  zëri që jehonin në qendër të qytetit, ku ishte mbledhur e gjithë Gjakova në pritje të të burgosurve. Çdo informacion, çdo melodi, çdo ritëm kishte tik-taket e zemrave të gjakovarëve…

Sot, kur pas   13 viteve kujtojmë këtë moment, rrëqethemi nga emocionet dhe përlotimet e gëzimit  për një ringjallje të re të jetës së shumë familjeve. Deri atë ditë Gjakova dukej se nuk merrte frymë lirshëm nga pezmi për të kidnapuarit. Të liruarit nga burgjet serbe, 25 prillin e shënojnë si ditëlindjen e re të tyre. Ata sot i mbushen 13 vjet…/Z.Vehapi/