Tuesday, November 5, 2024
AktualeGjakova PresssLajme

12 vjet nga lirimi i 143 të burgosurve gjakovarë nga burgjet serbe

Me 25 prill 2001 Gjakova shënoi edhe një datë në historinë e saj. U lirua grupi i 143 gjakovarëve nga burgjet serbe. Gjakova atë ditë ishte në festë. Rruget ishin mbushur me qytetare të cilët po prisnin të sapoliruarit.  Kjo ishte një ngjarje që vinte pas dy vitesh të maltretimeve, vrasjeve e torturave që iu bë në burgjet serbe dhe dënimeve drakonike nga gjyqesia serbe.

Ishin gjykuar dhe  dënuar në këtë proces gjyqësor 143 pjesëtarë të Grupit të Gjakovës. Dënimet ishin drakonike. Me nga 13 vjet burg u dënuan 49 veta, me nga 12 vjet burg u dënuan 51 veta, me nga 10 vjet burg u dënuan 20 veta, me nga 9 vjet burg u dënuan 11 veta dhe me nga 7 vjet burg u dënuan 10 veta.

Ky vendim gjykate serbe dënonte 143 shqiptarë të pafajshëm nga Gjakova me 1632 vjet burg, apo me 16 shekuj, tre dhjetëvjetësha e 2 vjet burg.

Pas një presioni të fuqishëm ndërkombëtar e sidomos kushtëzimit të ndihmave nga qeveria amerikane Serbia i liroi të gjithë të burgosurit e Grupit të Gjakovës më 25 prill 2001, të cilët nën mbikëqyrjen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar u kthyen në Gjakovë, e cila i priti me gëzim të madh. Shumë familjeve iu kthyen djemtë, burrat, baballarët. Ky gëzim nxori edhe më shumë pikëllimin e familjarëve të të zhdukurve, të cilët shpresonin se të dashurit e tyre të zhdukur do të ktheheshin të gjallë nga burgjet serbe. Kjo shpresë pas kësaj dite është zvogëluar te këta njerëz të mbushur me ankth, që akuzon gjer në qiell.

Albert Koshi- Beti, njëri nga 143 ish të burgosurit e liruar, sot kujton me emocione atë ditë.

“Kur morem vesh se po na lironin u gezuam pa masë,por gezimi fillimisht ishte i shkurter sepse per mua drejtuesit e burgut me thane se ende nuk i ka dokumentet e gatshme.  U “çmenda”, thashë po duan të më lënë perseri ne burg!. Mirepo dikush nga burgu i tha se une i takoj grupit te gjakovareve dhe me leshuan!  Ishte gëzim i pa parë që nuk do ta harrojë kurrë, sepse po vinte pas dy vitesh të tmerrshme nëpër kazamatet serbe ku na u vranë para syve shokët tanë” thotë Koshi duke kujtuar gjithmonë ata që tash mungojnë dhe familjet e tyre.

“Sot më 25 prill 2013,  kur u zgjova nga gjumi bashkëshortja më uroi ditëlindjen e 12-të. Me të drejtë se kjo ishte një rilindje e vërtetë jona”, tha Koshi.

Në një emision dokumentar të Radio Gjakovës me titull “Në përqafim të lirisë”, të realizuar me 25 prill 2001, Beti ishte i liruari i parë që fliste me telefon nga autobusi që po bartte të liruarit dhe po sjellte emocionet para familjarëve dhe qytetarëve që për dy vite pritshin ti takonin në Gjakovën dhe Kosovën e lirë.

Sot ai ka kujtuar momentin e kontaktit me Radio Gjakoven,para 12 vitesh tek po ecte me autobus bashke me te liruarit nga burgjet,  pa e ditur se ai po degjohej në gjithë Gjakoven.