24 orë me reshje shiu, dëmtohet rrjeti ujësjellësit në Cermjan
Reshjet e shiut në territorin e komunës së Gjakovës kanë vazhduar edhe gjatë 24 orëve të shkuara duke rritur edhe më tej nivelin e ujit të lumenjve dhe duke rrezikuar sërish banorët e zonave që jetojnë skaj lumenjve e të cilët kërkojnë që kompetentët komunal të intervenojnë me masa adekuate. Reshjet e fundit kanë shkaktuar dëme në rrjetin e ujësjellësit në fshatin Cermjan meqë nga uji ka rrëshqitur dheu duke dëmtuar tubacionet. Ekipet profesioniste të kompanisë Radoniqi kanë arritur ta eliminojnë defektin kryesor, ndërkohë që po punojnë edhe në zgjidhjen e problemit të ujit të pijes për banorët e lagjes Shalë.
Ndryshe, stuhija e ujit gjatë muajit mars kishte shkaktuar mjaft dëme për disa shtëpi banimi dhe sipërfaqe bujqësore e në anën tjetër kishte dëmtuar edhe Urën mbi lumin Drini Bardhë. Gjakovarët që nga fillimi i muajit mars udhëtimin drejtë Prishtinës dhe anasjelltas e bëjnë në rrugët tërthore. Mirëpo kësaj brenge do ti vie fundi gjatë muajit maj sepse në një takim të zyrtarëve komunal me përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe te Forces së Sigurisë së Kosovës, është bërë e ditur se së shpejti do të ndërtohet Ura provizore. Në fakt me mjete të Ministrisë së Infrastrukturës pritet që më 22 prill, nga FSK-ja, t’nisin punimet në ndërtimin e urës provizore, që planifikohet të kryhen brenda dy javësh.