Gjakova të premten qendër e Festivalit të radiove shqiptare Radiofest 2014
Gjakova të premten do të jetë qendër e radiostacioneve të Kosovës, Shqipërisë dhe viseve tjera. Radio Gjakova për herë të 10-të, e mban manifestimin tradicional të radiove, Radiofest 2014, ku do të prezantohen krijimet radiofonike në reportazhe, raporte radiofonike dhe spote publicitare. Qëllimi i organizimit të këtij manifestimi unik jo vetëm në vendin tonë është që, duke nxitur krijimtarinë e re radiofonike të punëtorëve të këtyre mediumeve, të avancoj rezultatet në fushën e radiofonisë.
Në manifestimin e sivjetmë marrin pjesë radiot nga: Tirana, Peja, Saranda, Istogu, Vlora, Mitrovica, Fieri, Lushnja, Gjakova, Bajram Curri, Shkupi, Decani, Shkodra, Theranda, Elbasani, Podujeva, Korca, Prizreni e qendrat tjera. Juria e festivalit do të shpall nesermbrëma punimet fituese. Krahas dhjetë vjetorit të radiofestit, Radio Gjakova njëkohësisht me një akademi solemne shoqëruar me program muzikor, shënon 35 vjetorin e fillimit të punës. Kryetarja e komunës Mimoza Kusari Lila është përkujdesur për të ecur mbarë gjithë ky aktivitet që fillimisht ka nisë me javën e radiofestit, ku janë transmetuar gjitha punimet e arritura, pastaj edhe me shënimin e ditës së fillimit të punës me program festiv. Në programin e nesërm festiv, në pjesën artistike do të marrin pjesë: Kori shkollës së muzikës Prenk Jakova, grupi i vallëzimit Art Dizajn, Ismet Peja, Edi Ermeni, Gentian Gojani, Ardian Këpuska, Vlona Boshnjaku e të tjerë.