Kërkohen hapa konkret të bashkëpunimit në Malësinë e Gjakovës
Në Gjakovë të enjten është mbajtur takimi iniciues për zhvillimin e përbashkët të komuniteteve vendore kufitare Shqipëri – Kosovë i titulluar “Zhvillimi social-ekonomik i zonës pilot Gjakovë-Has- Tropojë”. Për rëndësinë e këtij projekti përkatësisht për këtë iniciativë, ka fol kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, e cila ndër të tjera ka veçuar se iniciativat nuk duhet të mbesin në letër por duhet jetësuar:
“Është koha të korrigjojmë padrejtësinë historike lidhur me krijimin e mundësive për zhvillim të ndërsjellët në komunat këndej e andej kufirit. Duhet punuar në jetësimin e procesit të zhvillimit të qëndrueshëm në të dy anët e kufirit, sepse në ketë formë do të ngritët mirëqenia e banorëve të Gjakovës, Hasit dhe Tropojës. Komuna tani është angazhuar për ndarjen e subvencioneve për mbështetje të bizneseve të vogla që është një mundësi për një zhvillim më të hovshëm të biznesit privat. Nga ana tjetër, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Qemajl Minxhozi, ka njoftuar të pranishmit lidhur me marrëveshjen e bashkëpunimit ndërkufitar, të nënshkruar mes dy Qeverive, Kosovë-Shqipëri, të zyrtarizuar me deklaratën e përbashkët në mars të këtij viti.
“Kemi folur me folklorizma prej 10 vjetësh. Folklorin ia lëmë çiftelisë, neve na duhet ekonomia na duhet një bashkëpunim i vetëm. E rëndësishme është që pas dy viteve ne nuk duhet ta dimë ku është kufiri ku ndodhemi. Ne po shikojmë përtej saj edhe në projektin e madh të Alpeve shqiptare, që do përfshij edhe Kosovën e Shqipërinë edhe Malin e Zi, të gjitha majat e Alpeve, të gjitha zonat turistike “, ka thënë ambasadori Minxhozi.