Aeroporti i Gjakovës në pronesi të Qeverisë së Kosoves
Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Cuneyd Ustaibo ka thënë se pas 13 viteve të mbikëqyrjes së Aeroportit të Gjakovës, nga kontingjenti italian i KFOR-it, nga Ministria e Mbrojtjes së Italisë dhe Qeveria e Kosovës, kanë filluar diskutimet për transferimin e këtij aeroportit në pronësi të Qeverisë, në pajtim me të gjitha ligjet vendore dhe ndërkombëtare.
Ustabio tha se aeroporti është në gjendje të shkëlqyeshme dhe i gatshëm për t’u shfrytëzuar për transport të mallrave, si dhe për aktivitete sportive dhe rekreative të aviacionit.
Si transmeton rtklive, ai në mbledhjen e Qeverisë ka pohuar se në vendim thuhet që Aeroporti do të jepet në përkujdesje të përkohshme 9 mujore dhe të zgjidhet një menaxher i përkohshëm me kompetenca të plota për zhvillim të aktiviteteve. Kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet gjatë këtij muaji nga Komisioni ndërministror dhe MTI-ja.
“Vendimi ka për qëllim që ky aset të vazhdojë të mirëmbahet pas transferimit te Qeveria e Kosovës. Ky vendim paraqet dhënien e Aeroportit në përkujdesje të përkohshme 9 mujore ndërmarrjes publike Aeroporti në Prishtinë, ndërmarrje kjo që ka ekspertizën e nevojshme për operimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të këtij aeroporti”, ka thënë Ustaibo.