Tuesday, June 4, 2024
Kulturë

Avni Mula – këngëtar dhe kompozitor mbarëkombëtar

Avni mulaShkruan: Zeqirja Ballata,  anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Këngëtari dhe kompozitori ynë i mirënjohur, Avni Mula, këtë vit kremton 85-vjetorin e tij të lindjes, si një nga këngëtarët gjithsesi më të afirmuar jo vetëm i brezit të tij me paraqitjet, para së gjithash, prej tenori ndërkombëtarisht të njohur, por edhe prej kompozitori në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, ashtu si dhe në një mori vendesh ballkanike, evropiane, aziatike e më gjerë.

I lindur në qytetin artdashës e arsimdashës të Gjakovës më 1928ë në një familje po kështu të etshme për arsimim, si shumë familje të këtij qyteti që ka dhënë në të kaluarën dhe në të tanishmen shumë njerëz të pushkës e të penës, edhe prindërit e Avniut në fillim të viteve  ‘30 të shekullit të kaluar, me qëllim të arsimimit të fëmijëve në gjuhën amtare kalojnë në Shkodrën historike e famëmadhe personalitetesh historike të arsimit, kulturës, shkencës dhe të artit, pra edhe të këtij muzikor, ashtu sikundër hiç më pak edhe të pushkës. Në këtë mjedis u edukua dhe e kreu filloren dhe gjimnazin, për t’u kyçur, më pas, po këtu, për disa vite (1945-47) si mësues. Gjatë këtyre viteve të mësuesisë njihet me kompozitorin e njohur shkodran Prenk Jakova, i cili e heton talentin e tij prej muziktari me perspektivë. Prandaj, që herët, gjatë viteve 1947-52, Avniu i ri ka qenë i punësuar si këngëtar në Ansamblin e Ushtrisë Popullore. Gjatë asaj periudhe kohore, ende pa filluar me studime, më 1951 merr pjesë si këngëtar në Festivalin e 3-të të këngëtarëve lirikë në Berlin.

Një vit më pas, i nxitur edhe nga pedagogë e kompozitorë të tjerë, dërgohet për të studiuar dhe pranohet në Drejtimin e solo-këndimit pranë Konservatorit muzikor “P. I. Çajkovski” të Moskës (klasa A. L. Dolivo), duke u dalluar si student e këngëtar. Gjatë studimeve merr pjesë si këngëtar solist në Bukuresht të Rumanisë (1953), si dhe në Moskë (1957). Dhe, pa humbur asnjë vit i kryen studimet me sukses të shkëlqyeshëm, përkatësisht me Medalje të Artë. Me t’u kthyer në atdhe punësohet menjëherë në Teatrin e Operës dhe Baletit të Tiranës. Aktiviteti prej tenori solist i Avni Mulës pranë këtij institucioni më të lartë muzikoro-skenik zgjat deri më 1965, duke i kontribuar pa ndërprerje pasurimit të jetës muzikore-skenike dhe vokalo-instrumentale të vendit.

Gjatë gjithë kësaj periudhe tenori ynë edhe më tej ka vazhduar të jetë gjithanshmërisht aktiv. Kështu, qysh në vitet e para të inkuadrimit të tij në Teatrin e Operës dhe Baletit, pikërisht më 1959, prezantohet si solist në Vjenë. Edhe më pas, aktivitetin e tij prej këngëtari perspektiv gjatë gjithë periudhës, për më tepër tani edhe si kompozitor, në mënyrë të pandërprerë vazhdon me paraqitje rolesh kryesore në veprat operistike të kompozitorëve shqiptarë: “Mrika” e P. Jakovës, Tiranë, 1959; “Pranvera” e T. Daisë, Tiranë, 1960; “Lulja e kujtimit” e K. Konos, Tiranë, 1961; “Heroina” e V. Noves, Tiranë, 1966; “Skënderbeu” i P. Jakovës, Tiranë, 1968; “Komisari” i N. Zoraqit, Tiranë, 1972; pastaj, të atyre të huaj: “Jolanda” e Çajkovskit, Tiranë, 1958, “Rrojtari i Seviljes” i Xh. Rossinit, Moskë, 1958; edhe në Poloni, më1961; “La traviata” e Xh. Verdit, Tiranë, 1958, “Don Pasquale” e G. Donizzetit, Tiranë, 1959; “La Traviata” e G. Verdit në Çekosllovaki, 1960, “Cavalleria rusticana” e P. Masagnit, Poloni, 1960; “Madame Butterfly” e G. Puccinit, Tiranë, 1961; “Carmen e G. Bizet”, Tiranë, 1962, “La Boheme” e G. Puccinit, Tiranë, 1962, “Cavalleria Rusticana” e R. Leoncavallos, Tiranë, 1964; “La Boheme” e G. Puccinit, Tiranë, 1964, “Mbledhësit e perlave” e G. Bizet, Tiranë, 1964, “Rigoletto” e G. Verdit, Tiranë, 1964, “Le nozze di Figaro” e W. A. Mozartit, Tiranë, 1966, “Simfonia IX” e L. van Beethovenit, Tiranë, 1972, në operetën “Princesha e Çardashit” e I. Kalmanit, Tiranë, 1964. Me pjesëmarrje prej tenori solist është prezentuar edhe në koncerte dhe në shumë vende të huaja, përpos në ish-Jugosllavi (Kosovë, Maqedoni etj.), edhe në Austri, Algjeri, Bullgari, Çekosllovaki, Egjipt, Gjermani, Kinë, Kore të Veriut, Hungari, Itali, Mongoli, Poloni, Zvicër, Vietnam… (Shih, Sokol Shupo, “Enciklopedia e muzikës shqiptare”, Asmus, Tiranë, 2002, fq. 200-201).

Avni Mula, krahas si solist prej tenori të mirënjohur në vend dhe jashtë, i është rrekur edhe krijimtarisë prej kompozitori tejet të frytshëm dhe të suksesshëm veprash, po thuaj, të të gjitha gjinive muzikore, me theks të veçantë të atyre vokale, vokalo-instrumentale dhe muzikore-skenike. Kështu, ndër kompozimet e tij shumë të suksesshme dhe me pjesëmarrjen e tij prej solisti radhitet një numër tejet i madh këngësh lirike të realizuara në 30-edicione të Festivalit të Këngës në RTV-Shqiptar. Ja, disa prej tyre: Këndoj, “Valsi i lumturisë”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Shqipëri o vendi im”, “Trendëlinë e këngë”, “Kasollja e Galigatit”, “Një djep në barrikadë”, “Borë dhe këngë”. E ka dhe këngën korale “Me duar plot” (1981), si dhe – po kështu – shumë këngë për pionierë, ndër të cilat bëjnë pjesë: “Për çdo vit të ri” (1976), “Tregimi i gjyshes”, “Kur këndoj për ty moj nënë” (1978), “Për çdo vit në maj”, “Në muzeun e luftës” (1981).

Në gjininë muzikore-skenike këngëtari tenor dhe kompozitori Mula ka qenë tejet aktiv dhe i frytshëm me baletet: “Vajzat e malësisë” (1962-63), “Legjenda kruetane” (1978); me operetën: “Karnavalet e Korçës” (1978); me operat: “Borana me tre akte” (1984), “Stuhia me tre akte” (e pakryer, 1985), “Nëna e trimave” me dy akte (1987). Pastaj, me tablot koreografike: “Marshojmë fitimtarë” (1979); “Në ditën e festës” (1982), “Duet rinor” (1983), “Ditë feste” (1983), “Shokë të një ideali” (1984), “Festojmë 40-vjetorin” (1984), “Kënga e akcioneve” (1985); “Mbrëmje mature” (1986), “Në të bukurin atdhe” (1986), “Festojmë jubileun” (1989). “Po kështu”, me vallet, “Bareshat e gëzuara” (valle dyshe, 1982), “Valle festive” (1983), “Valle me motive kosovare” (1983), “Duar plot në jubile” (1984); “Valle myzeqare” (1984), “Valle me motive të Tropojës” (1985), si dhe me poemën koreografike “Marshojnë fitimtarët” (1979).

Edhe gjinia vokalo-instrumentale është te Avni Mula tejet e pranishme. Këtu bëjnë pjesë, ndër të tjera: “Balada e dritës” për tenor e orkestër (1968), “Dueti i majit” për soprano, tenor e orkestër (1970), “Gjithmonë e re”, kantatë (1973); “Baladë për tenor” e orkestër (1973), “Shqipëri moj famëmadhe”, kantatë për solistë, kor e orkestër (1974), “Nënë Shqipëri”, poemë për recitues, tenor, kor e orkestër (1975), “Dilni shihni Shqipërinë”, suitë për kor e orkestër (1976), “Ku ti kërkoj rrënjët e tua”, kantatë për kor vajzash dhe orkestër (1977), “Bijë heroinë”, suitë për solist, kor e orkestër (1977), “Grusht shtrënguar”, kantatë për solist, kor e orkestër (1978), “Jubileun festojmë”, suitë për soprano, kor e orkestër (1979); “Baladë për Zonja Çurren”, për soprano e orkestër (1979), “Poemë vokale”, për recitues, tenor, kor e orkestër (1980), “Baladë për heroin e popullit Asim Vokshi”, për tenor e orkestër (1981), “40 vjet flamur”, kantatë për recitues, tenor, kor e orkestër (1981), “Lirikë pranverore për recitues”, tenor, kor e orkestër (1985), “Me flamurin ngritur lart”, kantatë për recitues, tenor, kor e orkestër (1985).

Ndër veprat koncertante dhe orkestrale janë: “Tregimi i rapsodit për Drinin”, “Në kantierin e Fierzës”, “Festa e dritës”, tri skica simfonike (1978), “Nënat tona”, poemë për violinë e orkestër (1981); Pjesë për trumbetë e orkestër (1983); Lulëkuqet për orkestër harqesh (1983), Koncert për trombon e orkestër në Sibemol maxhore. Si kompozitor Mula është provuar edhe në muzikën filmike në filmat: “Lumë drite” (1975), “Udhëtimi në pranverë” (1975), “Balonat” (1979), “Karnavalet” (1980), “Fejesa e Blertës” (1984).

Së këndejmi, po qe se gjithë kësaj veprimtarie brendamuzikore ia shtojmë edhe faktet se: Avni Mula konsiderohet edhe përgjithësisht një veprimtar tejet aktiv në jetën muzikore të vendit, i cili ka arritur t’i shprehë mendimet, qëndrimet e tij profesionale muzikore prej muziktari të gjithanshëm edhe përmes shkrimeve: Në këngë të vëmë zemrën tonë (1975); Këngët e përditshme që emocionojnë (1975) “Shënime për Festivalin e 8-të të Këngës në Durrës (1975); Në koncertin e këngëtarëve kosovarë (1979), “Sukses i merituar i artistëve francezë” (1985); K. Trako – dirigjent e pedagog i palodhur (1986); “Shok i pazëvendësueshëm Mentor Xhemali” (1992); “Poliedrigu i muzikës shqiptare” (1997); “Gjysmë shekulli me muzikë” (1998); “Nga anketat e njerëzve më të shquar të kombit shqiptar” (1999); seë përpos si këngëtar gjithandej i mirënjohur dhe kompozitorë ka qenë, në raste të caktuara edhe udhëheqës artistik festivalesh folklorike kombëtare, spartakiadash dhe ansamblesh të ndryshme amatore; për një kohë ishte edhe pedagog i angazhuar (1962-66) pranë Konservatorit të Tiranës e se nga klasa e tij ka dalë tenori Hysen Koçia, mund të konstatojmë me plot gojën se Avni Mula e ka konfirmuar tanimë përfundimisht bindshëm personalitetin e tij si prej këngëtari të mirënjohur operistik e koncertal, ashtu dhe prej kompozitori mbarëkombëtar, për ç’gjë dhe është dekoruar me Çmimin e Republikës të Shkallë së Parë, me Urdhrin e Flamurit të Klasit I dhe me Urdhrin Nderi i Kombit (Fjalori enciklopedik shqiptar 2, Akademia e Shkencave, Tiranë 2008, fq. 1772).