Sunday, April 28, 2024
AktualeLajme

Lekaj: Kundërshtojmë formimin e komunës së Rogoves

Pasi në mbledhjen e fundit të Asamblesë Komunale të Gjakovës, u zhvillua një debat i gjerë “pro” dhe “kontra” formimit të komunës së re të Rogovës së Hasit, të shtunën kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj së bashku me përfaqësuesit e fshatrave të Hasit të Komunës së Gjakovës:, Demjan, Lipovec dhe Gërqinë  kanë ftuar mediat për ta bërë edhe një herë publike kundërshtimin për formimin e kësaj komune.

“E kam shprehur edhe në takimin që kam patur me zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në çdo instancë tjetër se jemi kundër këtij vendimi pasi nuk është konsultuar as popullata, as nuk e kanë patur të qartë shtrirjen gjeografike të Hasit ku nga Deva për në Rogovë duhet të shkohet përmes Gjakovës, as nuk ka buxhet të planifikuar si dhe arsyeshmëri tjera që ndikojnë që kjo komunë të mos themelohet, e mbi të gjitha deklarimi i qytetarëve është më thelbësori” ka pohuar Lekaj duke shtuar se   ky vendim është kundërshtuar nga banorët e Hasit.

Në anën tjetër Sali Cena, përfaqësues i tri fshatrave Hasit të Gjakovës, Lipovec, Demjan dhe Gërqinë  tha se Qeveria me vendimin e saj ndau padrejtësisht Hasin  në dy komuna, që është në kundërshtim me ëndrrën hasjane të bashkimit të kësaj treve të ndarë padrejtësisht që nga viti 1913.

“Formimi i dy komunave është në kundërshtim me interesat dhe aspiratat e banorëve të kësaj ane për bashkim. Në të kundërten  thellon më tepër ndarjen, prandaj banorët e këtyre tri fshatrave nuk pranojnë ti bashkohen këtyre dy komunave. Edhe më tutje do të qëndrojmë në administrimin e komunës së Gjakovës. Qeverisë i bëjmë thirrje që ta analizojë mirë vendimin e marrë  dhe të shikojë mundësinë që të bëjë bashkimin e Hasit në një komunë kudo qoftë ajo, sepse kjo do të jetë në të mirë të regjionit,” tha Cena.

Vëllaznim Gjugja nga fshati Lipovec ka thënë se këtë pakënaqësi e kemi shprehur edhe në takimin që kemi patur me kryeministrin Thaqi, porse nuk jemi përfillur. Ky i fundit është shprehur se nuk përfaqësojnë apo nuk janë militantë partiak, porse të zgjedhur nga fshatarët ku banojnë. Në këtë konferencë për shtyp është thënë se së shpejti deklarim të tillë do të bëjnë edhe Godeni, Ujëzi e fshatra tjera.