Saturday, April 27, 2024
Gjakova PresssIntervista

Diaspora gjakovare në Zelandë të re

JETOJNË SHUMË LARGË ME MENDJE E ZEMËR NË VENDLINDJE

Intervistë me dr. Sefidin Zeken

auckland_nightThonë se gjakovarë mund të gjesh në të gjitha këndet e botes! Hallet e jetës, rastësitë dhe shkaqet tjera ata I kanë sjellë anekënd rruzullit tokësorë. Meqë muajt e verës  i dedikohen mërgatës shqiptare nëpër botë, kësaj radhe zgjodhëm mërgatën shqiptare në Zelandën e Re. Për të na njohur një qik me këtë mërgate kësaj radhe zgjodhëm Dr. Sefidin Zeken te cilin e lidhin shume kujtime me Gjakovën. Shquhej për këndim që nga 1959 në SH.F. “M. Bakija”, si gjimnazist i “H. Dushit” dhe mësues fshati. Ishte futbollist I dy skuadrave rivale të qytetit: “Vellaznimit” dhe “Gjakovës”. Pas studimeve për stomatologji dhe specializimit për sëmundje të gojës njihet si punëtor shëndetësor në Shtëpi të Shendit e pas luftës dhe drejtor I saj.

Sef Zeka

Foto:  Në koncert duke interpretue potpuri kengesh gjakovare.

Dr. Sefë ishit edhe ideatorë I kremtimit 50 vjet shërbimit stomatologjik ne komunën e Gjakovës dhe pas kësaj CV-je modeste si kontribuues në qytetin e Gjakovës si ndodhi të emigroni në Zelanden e Re?

– Faleminderit për zgjedhjen që keni bë qe t’ju rrëfejë një çikë për Zelanden e Re dhe mërgatën tonë. Gjatë luftës Mars-Qershor 99 isha I ndarë prej bashkëshortes dhe dy djemve të cilët prej Prishtinës, Shkupit e Tetovës migruan në Zelandën e Re, e unë në fund të Nëntorit të njëjtit vit shkova  si vizitor për një muaj pa pandehur se do bëhen 14 vite si mërgimtar.

– Si ju priten ne Zelandën e Re?

– Në Zelandën e Re,  shqiptarët kanë shkuar në disa grupe prej Majit deri në fund të Nëntorit 99, kur edhe ka përfunduar ky mision I pranimit të refugjatëve. Grupi I parë kur kanë arritur ka dalë me i pritë atëherë edhe kryeministresha znj. Helen Clark me autoritetet tjera shtetërore. Refugjatë kishte pothuajse nga të gjitha trevat shqiptare .

-Sa familje  gjakovare janë në Zelandë?

– Sot numërojmë 14 deri në 15 familje nga Gjakova.

– Cila është veprimtaria e këtyre familjeve në Zelandë?

– Kryefamiljaret e shumicës të këtyre familjeve ishin në moshë të konsiderueshme pa e njohur gjuhën angleze ani pse me kualifikime të larta shkollore: 4 stomatolog, 1 mjekë, jurist, teknolog, inxhinierë por edhe ushtrues të zejeve te ndryshme. Në situatë të tillë,  të ballafaquar me ligje dhe kritere të Zelandës nuk mund të ushtronin profesionet e tyre. Mirëpo të rinjtë tanë duke e njohur sado pak gjuhen angleze,  duke u inkuadruar menjëherë nëpër shkolla,  sot kanë arrit suksese të konsiderueshme dhe janë sistemua fort mirë.

– Po rinia e jonë atje si u gjinden?

– Natyrisht se edhe ata ishin disi si të hutuar me ndryshimin radikal që përjetuan,  por duke pas përparësi moshën, njohjen e gjuhës angleze,  duke I vijuar shkollat angleze,  pa dyshim se këtë ndryshim e përballuan ma lehtë se të moshuarit. Unë duke qenë ish futbollist dhe ish këngëtarë pas një viti themelova një skuadër futbolli me emrin “Kosova” dhe veshje kombëtare të cilët për 5-6 vite luajtën me mjaft sukses ne ligen e qytetit te Aucklandit.  Për festa të ndryshme si ajo e flamurit e lirisë së Kosovës, vitit te ri etj. Organizonim koncerte të ndryshme natyrisht modeste. Në vitin 2004,  në 5 vjetorin e hyrjes NATO’s në Kosovë edhe ne si mërgimtarë organizuam një koncert qe u percolle edhe nga autoritet e Aucklandit, drejtoret e shkollave ku gravitojnë fëmijët tanë, autoritet e mërgatës etj, qe numëroheshin gjithsej 300 veta. Ne atë koncerte përpos himneve (3) kishte recitime, këngë nga Kosova e Shqipëria dhe valle me motive shqiptare. Ky koncert bëri  jehonë duke zgjuar kureshtje dhe krenari pasi që ishte hera e parë që në Zelandë mbahej një manifestim I tillë në gjuhen shqipe.

– Sa kane arrite te rinjtë suksese në fusha te ndryshme si: shkollim, biznese, sport e profile tjera?

– Sot ka prej tyre që kanë krye fakultete të ndryshme si: inxhinieringun, farmacinë, artin dhe dizajnet, biznese të ndryshme e tjera. Ajo që I stolisë të rinjtë tanë në Zelandë është sjellja e tyre konform traditës dhe cilësive që natyra ia dhuroj popullit shqiptarë. Ne prindërit vazhdimisht kemi kërkuar prej tyre që mos të lejojnë të bëjnë veprime me të cilat do e njollosin popullin shqiptarë por të promovojnë vlerat me të cilat në krenohemi. Jo rastësisht para 4 viteve në Parlamentin e Zelandës na kanë përmend dhe u kanë  bërë apel komuniteteve tjera që të marrin si shembull komunitetin shqiptarë. Kjo ishte sa kënaqësi për ne aq edhe krenari.

Sef Zeka 1 sport

Foto: Rendi lartë: Trajner  Sefidin Zeka, Gezim Galimuna, Berat Krasniqi, Shpend Jashari, Assistant trajner Adnan Galimuna.   Rendi mesem: Enes Bashota, Agron Salihu, Blin Haraqija, Engin Gul, Eroll Gul .   Ulur: Ervin Zeka, Avdi Beqiraj, Erzen Zeka, Rron Shala, Fisnik LLeshi

 

– Sa sipërfaqe ka Zelanda? Sa banore, cila gjuhe flitet? Ku gjinden shqiptaret dhe ne cilin qytet jetojnë?

– Zelanda e Re gjinden mu aty ku bashkohen Atlantiku me Pacifikun, e ndajnë prej Australisë 2-3 orë fluturim po aq edhe prej Antarktikut. Ka diku rreth 276 mijë km katrore. Shtetin pothuajse e mbanë bujqësia- blegtoria,  pasi që ka 120 milion dele, 80 milion lopë, shumë shtete I furnizon me mish të kësaj bagëtie, mish peshku, lesh, qumësht e prodhime të tij. Pastaj e ka të zhvilluar industrinë e drurit dhe letrës. Me letër shkrimi I furnizon 105 shtete. Aty jeta ka filluar para 700 viteve me ardhjen e një popullate të quajtur Maori nga ujdhesat për rreth si: Fiji, Samoa, Tonga, Tahiti etj. Me 1769 bie nën Anglezet. Gjuhë shtetërore është anglishtja por respektohen të gjitha gjuhët e komuniteteve që jetojnë aty. Kanë universitetet e tyre Rtv-në, shumë revista. Edhe ne kemi revistën një javore në gjuhen shqipe “Fjala Jonë”, dhe çdo të shtunë emisionin në gjuhën shqipe në radio Auckland me titull “Zëri Ynë”.  Zelanda, thjeshtë për nga përbërja I ngjanë një mini OKB-je. Është një shtet I krijuar për njeriun dhe I vënë në shërbim të njeriut dhe njeriu është mbi të gjitha. Thjeshtë është privilegje e madhe të jetosh aty. Zelanda e re ka dy ujdhesa veriore e jugore të ndara me një kanal, kryeqyteti është VVellingtoni me afro 350 mijë banorë. Aucklandi ku jetojmë ne si komunitet është më i madhi me 1.5 milion banorë, ne jetojmë aty dhe shumë afër njeri tjetrit. Ka disa familje sidomos nga Shqipëria që gjenden pak më larg,  por që vazhdimisht takohemi edhe me ta. Aucklandi ka pak më shumë se 7mijë km katrore.

– Si gjakovarë,  si jeni adaptuare me klimën, ushqimin, me mënyrë e jetesës që bëni?

– Klima në Zelandë është tropikale, tani kur po bisedojmë aty është dimër por aty ku ne jetojmë nuk bie borë. Dominojnë zakonisht erërat, shiu dhe lagështia bukur e theksuar. Nja 300 km më larg duke shkuar ka Antarktiku,  atje bie borë dhe bënë bukur ftohtë. Ushqimin e përdorim kryesisht si në Kosovë por kemi huazuar edhe ca ushqime që përdoren bukur shumë nëpër restorante si: koreane, birmaneze, të thailanidit etj. të cilat janë në përbërje kryesisht vegjetative.

– Për fund të kësaj interviste; keni arrit një moshë të konsiderueshme, a ju mundon nostalgjia dhe cila është prognoza e mëtutjeshme jo vetëm e juaja por edhe e tjerëve që jetojnë në Zelandë?

– Me lejoni që mundësisht në këtë pyetje një çikë më shumë të shpalosi disa vlerësime . Më mundon një çikë nostalgjia dhe këtë argument s’mund ta fsheh për disa arsye:

1. I takoi moshës dhe gjeneratës e cila ka aversion ndaj mërgimit,  i cili duke qenë I dhunshëm I solli shumë fatkeqësi popullit shqiptar gjatë gjithë ekzistencës dhe historisë sonë.

2. Duke qenë peng I rinisë , sportit muzikës, shëndetësisë etj. ndoshta në mënyrë naive I kontribuojnë nostalgjisë,

3. Largësia e madhe gjeografike dhe prognoza e pa qartë për ardhmërinë  e fëmijëve dhe rinisë jo vetëm në Zelandë por gjithandej nëpër botë nuk më le disi të qet. Kjo nostalgji e ka burimin tek bindja ime, mirëpo realiteti dhe rrethanat kanë ndryshuar dhe atë për të mirë. Mërgimi sot ma nuk është I dhunshëm,  por beteja në mes bindjes dhe realitetit nuk përfundon kurrë,  ajo është e përjetshme. Shumë shokë dashamir të njohur më thonë , I lumi ti ku je! Të isha në vend tëndin,  e tjera,  e tjera, por për mua pa atdhe më duket si mos me le. Siç e thash duke ndryshuar rrethanat dhe realiteti , për deri sa ne të moshuarit ngushëllohemi me bindjen se kemi shkuar dhe qëndrojmë për fëmijët tanë po ndodhë një paradoks. Duke I mbaruar shkollimet e tyre në profesionet adekuate, po migrojnë në Australi,  SHBA,   Dubai,  nëpër Evropë por edhe në Kosovë po kthehen duke u sistemua për zili nëpër institucionet vendore apo ndërkombëtare dhe për fat të tyre s’ ju bënë përshtypje se ku ndodhen. Kjo do të thotë se  të rinjtë sot e kanë shansin real të bëjnë vetveten, ndërsa familjet e tyre ti lartësojnë. Kështu  ti promovojnë vlerat tona dhe ti kontribuojnë kombit natyrisht për të mirë.

Dhe 4. Për fund ajo që më brengos dhe s’më le të qetë është frika dhe paqartësia që  sot tingëllon naive por që është shqetësues,  asimilimi i mundshëm I ndonjërit. Tani pse shanset  janë minimale me ndërrimin e rrethanave e realiteti. Përfundimisht  dua të them se fjala “Diasporë” do të thotë “Farë e humbur,  e tretur”. Por uroi me gjithë mendje e zemër dhe shumë shpresoi se sot kjo nuk do ndodhë.

Gjakovapress.info   Intervistoi: Zeki Vehapi