Saturday, April 27, 2024
Intervista

Kujtim Nushi: Po vjen festa e këngës për fëmijët

Kujtim Nushi fFestivali i vetëm i muzikës për fëmijë në Komunën e Gjakovës, “Lyra fest”, kohë më parë ka nis përgatitjet për edicionin e radhës. Festivali po bën përgatitjet e fundit për të vazhduar traditën e nisur para shtatë viteve. Magjistri i teorisë muzikore Kujtim Nushi, I cili është  drejtor dhe themelues i këtij festivali, ka thënë se edicioni i ri pritet të mbahet në fund të muajit nëntor. Ja dhe biseda që bëmë me te:

Çili është qëllimi I organizimit të këtij manifestimi?

Mendoj që, organizimi dhe vazhdimi i festivalit mbarëkombëtar të këngës për fëmijë “Lyra Fest 2013”, do të thotë krijimi i një vendi ku njerëz të muzikës e sidomos kompozitor, orkestrues dhe teksteshkrues duke llogaritur edhe fëmijët e talentuar do mund ta gjenin vetën, një vend ku do të mund të shprehnin talentin e tyre ku për shumëkë ndoshta do fillonte një jetë e re artistike e pse jo edhe një karrierë të re me shumë sukses në të ardhmen.

Duke u nisur nga fakti se Gjakova si qytet ka pasur një traditë mjaft të madhe në fushën e muzikës, si dhe duke e parë se në qytetin e Gjakovës që disa vite është duke funksionuar me shumë sukses festivali mbarëkombëtar i këngës për fëmijë Lyra Fest. Gjithashtu, duke parë interesimin e garuesve, si nga ata kompozitor, orkestrues, tekstshkrues dhe fëmijë të talentuar jo vetëm nga Kosova, po na jep kurajë dhe po na frymëzon që të punojmë edhe më shumë në realizimin e edicionit të ri të festivalit Lyra Fest.

Na thuani më shumë për formën e organizimit?

Festivalit mbarëkombëtar të këngës për fëmijë, ka karakter garues ku konkurrojnë fëmijë nga mosha 6 deri 13 vjeç. Numri i këngëve pjesëmarrëse do jetë 18. Nga data 1 shtator, festivali mbarëkombëtar i këngës Lyra Fest 2013, hap konkurs për pranimin e këngëve për fëmijë. Si çdo vit, në këtë kohë fillojnë përgatitjet intensive për realizimin e festivalit. Konkursi do të jetë i hapur deri me 10 tetor, pas mbylljes së konkursit bëhet përzgjedhja e këngëve dhe shikohet se çfarë prurje do ketë për edicionin e shtatë të radhës. Pastaj vendoset për datën e saktë se kur do mbahet festivali.

Cila është dinamika e përgatitjeve?

Prej tash, veç kemi fillu kontaktet me kompozitor, orkestrues, tekstshkrues jo vetëm nga Kosova, por ju kemi bërë ftesë edhe atyre që krijojnë këngë për fëmijë nga Shqipëria dhe Maqedonia.

Prej muajit të ardhshëm përveç pjesës artistike, fillojmë edhe me përgatitjet për dizajnin se si do duket skena dhe ndriçimi, pra është një fazë në të cilën angazhohen edhe shumë njerëz tjerë, të cilët punojnë me shumë përkushtim, që qytetit të Gjakovës ti përgatisim një festival serioz dhe të mirëfilltë. Prej 1 tetorit fillojmë edhe me përgatitjet e korit të fëmijëve, për të cilët përkujdeset mësuesja e muzikës Klodina Kryeziu.  Si çdo vit edhe këtë edicion të festivalit po mendojmë ta realizojmë gjatë muajit nëntor.

A keni mbështetje në këtë organizim?

Festivali deri tash, për këtë vit ka siguruar mbështetje nga MKRS dhe drejtoria për kulturë pranë Kuvendit Komunal të Gjakovës.  Sponsor medial është KTV dhe Kosova Sot. Ndërsa, partnerë tjerë medial janë: Radio Gjakova, Radio Kosova, Radio Dukagjini,Top Kosova Radio, TV Syri.