11 korriku është Dita Ndërkombëtare e Popullsisë e cila që nga viti 1987 shënohet nga Kombet e Bashkuara. Me një numër të popullsisë që ka kaluar 7 miliardë banorë, bota ka mundësi të përshpejtojë progresin drejt një qëllimi fundamental e që është Qasja Universale në Shërbimet e Shëndetit Riprodhues.
Lindja e fëmijës është momenti më i gëzueshëm në jetën e një gruaje. Megjithatë, ende ky proces merr jetën e shumë grave anë e kënd botës. Çdo ditë, 800 gra vdesin në shtatzënësi apo në lindje prej komplikimeve që në të shumtën e rasteve do të mund të parandaloheshin. Për çdo grua që vdesë, rreth 20 apo më shumë vuajnë prej sëmundjeve afatgjata apo paaftësive të ndryshme që nga infertiliteti e deri tek depresioni.
Këtë vit trendet e rritjes së popullësisë në komunën e Gjakovës shënojnë rënie. Sipas të dhënave të Shërbimit të Statusit Civil të Kuvendit Komunal të Gjakovës, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në komunën e Gjakovës kanë lindur 896 foshnja, që është dukshëm më pak se në gjysmëvjetorin e parë të vitit 2012.