Sunday, June 9, 2024
AktualeLajme

Ëmbëlsohet Gjakova në Festën e Mjaltit

festa mnjaltitGjakova për dy ditë do të jetë qendër e bletarëve nga Kosova, Shqiperia e Maqedonia. Me organizim të Shoqatës së Bletarëve “Flora”, në 61 vjetorin e themelimit të saj, dhe në mbështetje të Drejtorisë komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, të premten  në Gjakovë  filloi manifestimi tashmë tradicional “Festa e Mjaltit”, i cili do të zgjatë dy ditë.

Festa e mjaltit bletaFlorin Dautaga, kryetar i Shoqatës “Flora”, që ka rreth 320 bletarë,   ka thënë se me këtë rast do të zhvillohen një sërë aktivitete të cilat në fokus kanë  sensibilizimin e opinionit për rëndësinë e kultivimit të mjaltit si ekonomi e rëndësishme dhe profitabile familjare si dhe konsumimit të mjaltit si produkt i pazëvendësueshëm në tryezat tona. Pos kësaj, Dautaga  ka potencuar përpjekjet e bletarëve që konsumatorëve t`ju ofrohet mjaltë  tërësisht bio, ndonëse këtë vit për shkak të kushteve jo të përshtatshme atmosferike nuk ka qenë një vit i bereqetshëm.

Hapjen zyrtare të “Festës së  Mjaltit”, ku ishin edhe mysafir nga Lidhja e Bletarëve të Shqipërisë,  e bënë kryetarja e komunës Mimoza Kusari Lila dhe Bekim Ermeni, drejtor i Bujqësisë. Ata  përgëzuan bletarët për angazhimin në prodhimtarinë e mjaltit dhe u premtuan se do ta kenë mbështetjen e komunës.

“Sivjet kemi mbështetur 43 bletarë me 20 mijë euro, e kështu do të vazhdojmë edhe më tutje”, ka thënë Kusari Lila.

Ekspozita tradicionale e prodhimeve të mjaltit e cila mbahet në ambient të hapur, në platon para Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, shoqerohet me punëtorit e shumta me temat nga prodhimtaria e mjaltës, problemet, sëmundjet e bletëve dhe parandalimi i tyre, në të cilat do të marrin pjesë ekspertë të njohur të kësaj fushe.