Wednesday, September 4, 2024
Fejtone

Femrat gjakovare që lanë gjurmë

Shkruan: Raxhije Dushi-Rogova      

Raxhije RogovaNuk është aspak e lehtë t’i kundërvihesh mentalitetit, aq më tepër një mentaliteti që të dënon publikisht dhe ku zëri i femrës është i pandjeshëm, gati sa nuk ekziston si pasojë e injorancës dhe analfabetizmit. Sami Frashëri thoshte :“Nëse duam të kemi një shoqëri të përparuar, në radhë të pare duhet t’i keni femrat e shkolluara, se fëmijët edukatën e parë nga nënat e marrin”  Gruaja është nënë e fëmijës, zonjë e shtëpisë apo e krejt njerëzisë. Për shkak të sundimeve të gjata nga pushtues të ndryshëm, populli shqiptar e në mënyrë të veçantë femra shqiptare nuk kishte mundësi të ndiqte rrugën e emancipimit ndonëse nuk i mungonte dëshira dhe vullneti për t’u emancipuar  ashtu si popujt e tjerë të lire evropian. Kjo mundësi i erdhi popullit shqiptar tek në shekullin XX   .

Mundësia për hapjen e shkollës së parë shqipe Gjakovës i erdhi në kohën e pushtimit austriak kur edhe u shpall pavarësia e Kosovës. Në këtë kohë, pra, gjatë viteve 1915- 1918 në Gjakovë u hap edhe shkolla shqipe, Në vitin shkollor 1917-18 u hap edhe shkolla e vajzave. Mësuese të para të kësaj shkolle ishin  Emine Shehdula, (nëna e shkrimtarit Agim Gjakova) dhe Dominike Ndocaj,  që e zhvillonin mësimin në një shtëpi private, në fillim me 15 nxënëse e më vonë me 30 vajza.  Por,  pas vitit 1918 Kosova u ripushtua nga jugosllavët dhe menjëherë u mbyllën të gjitha shkollat shqipe. Mundësia për rihapjen e shkollave shqipe në Gjakovë erdhi tek në vitin 1941 kur Kosova u pushtua nga Italia dhe në këtë kohë u realizua edhe bashkimi kombëtar.

Në këtë kohë u rihapën edhe shkollat shqipe.  Gjatë periudhës 1941-45 në shkollën e vajzave jepnin mësim këto mësuese; Emine Shehdula, Zografe Martini, Lirije Tanefi, Marije Lumezi, Xhevrije Lipoveci, Marije Hajdari,  Melihate Deva – Nura, Nasibe Rizvanolli, Mervete Xhevori, Atifete Kryeziu, Drita kryeziu dhe Serbez Hima.  .  Ky numër i mësueseve shqiptare në atë kohë tregon dëshirën  e madhe për emancipim dhe shkollim të femrave shqiptare që deri në atë kohë  ishin femra të mbyllura dhe pa perspektivë. Pra gjatë kësaj kohe u shkollua një numër i konsiderueshëm i vajzave gjakovare të cilat shërbyen si një kontingjent i mësueseve të ardhshme që hapën dritën e diturisë edhe pas çlirimit, pra pas vitit 1945 e më tutje jo vetëm në Gjakovë por në shumë fshatra dhe vise të ndryshme të Kosovës. Këto mësuese, përveç kontributit të tyre në procesin mësimor, kanë dhënë një kontribut shumë të madh në emancipimin e femrave  duke organizuar kurse të ndryshme si kurse kundër analfabetizmit, kurse shëndetësore, kurse rrobaqepësie, jo vetëm me vajza të reja por edhe me gra më të moshuara  Njëra prej organizatoreve të këtyre kurseve ka qenë edhe Nanije Bakalli-Deva. Ajo organizonte mësueset që të shkonin fshat më fshat për të organizuar këto kurse. Por një punë të madhe kanë bërë edhe duke i bindur burrat që t’i lëshoni gratë e tyre për t’i ndjekur këto kurse se ishin për të mirën e tyre.

Gjatë Luftës së  Dytë Botërore një numër i konsiderueshëm i femrave gjakovare ishin angazhuar edhe në Lëvizje Nacional Çlirimtare për çlirimin e vendit nga nazifashistët, ashtu si dikur motrat Bejtullahu që kishin luftuar kundër ushtrive të huaja për mbrojtjen e nderit të tyre. Ndër më të dalluarat ishin Bije Vokshi e cila, përveç që kishte marrë pjesë drejtpërdrejtë në luftë, ajo përpiqej edhe për ta mbërritur barazinë gjinore në mes të burrave dhe grave si pjesë aktive e shoqërisë. Në këtë lëvizje ishin të angazhuara edhe shumë femra gjakovare si Ganimete Terbeshi  e cila për shkak të aktivitetit  të madh që zhvillonte, bie në sy te armiqtë, zihet dhe varret në litar si një heroine e vërtetë. Me te ishte e angazhuar edhe motra e saj Hidajete Terbeshi, Muradije Terbeshi, e njoftur si Halla eTerbeshit, Shefkije Terbeshi dhe shumë të tjera si; Safete Nimani, Hidajete Muhaxhiri, Halise Muhaxhiri, Shefkije Dobruna, Gjylshahe Pula, Hyrije Hana, Xhije Hana, Mema Vokshi, Cymë Puka e Naxha e Lakucit dhe shumë të tjera. Këto edhe më vonë kanë vazhduar aktivitetin e tyre në fusha të ndryshme e sidomos në heqjen e havales që ishte një pengesë e madhe për emancipimin e femrës shqiptare.

Në këtë kohë, nga nevoja e madhe për arsimimin e femrave shqiptare, qeveria e kohës kishte organizuat edhe kurse të shpejtuara pedagogjike në Prizren dhe Pejë ku i dërgonin edhe ato vajza që kishin kryer vetëm katër klasë për t’i përgatitur për mësuese. Kishte raste kur këto vajza shumë të reja, në moshë 13 vjeçare, si Besa Dyla-Gaxha që emërohet mësuese.  Tani shkollimi ishte bërë masiv për të gjithë rininë dhe nëpër klasë të mësimit mësonin bashkarish djemtë dhe vajzat.

Sipas shënimeve të nxjerra nga tekste të ndryshme nga viti shkollor  1946-52 na dalin rreth 50 emra të mësueseve në Gjakovë që kanë dhënë kontributin e tyre në mësimdhënie jo vetëm në Gjakovë por gjithkund ku kishte nevojë nëpër Kosovë.

Mësueset që kanë punuar gjatë kësaj periudhe janë; Shqipe Gjakova, vajza e mësueses Emine, kishte punuar në gjimnazin e ultë. Ganimete Baraku-Brovina, Mandushe Bejtullahu, Hydajete Beqa- Domi, Marije Berisha, Serbeze Brovina, Xhilone Brovina, Nafije Deva, Nanije Deva, Hidajete Dobruna, Shqipe Grezda, Durrije Shita, Shpresa Bardhi-Meqa, Nazmije Nimani, Sadete Nushi-Luzha, Nakije Agani, Shyqerije Zherrka që luante edhe si aktore në teatrin e qytetit, Vera Binishi edhe aktore, Hidajete Terbeshi-Gërqina, Nanije Bokshi-Nixha, Mervete Hoxha-Nimani, Resmije Purrini Shala, Edibe Binishi Pula, Mizafete Binishi- Pula, Sevdije Dushi, për kontributin e saj emërohet si zëvendës-drejtoresh dhe e drejton këtë sektor për tetë vjet. Hysnije Deda, Pakize Shasivari, Shyrete Valla, Andane Kolçi, Naxharije Binishi,Samile Dushi, Florije Domi, Ganimete Hoxha, Hidajete Dobruna, Nexhmije Kabashi  që ishte edhe aktiviste ne shumë aktivitete dhe si aktore e mrekullueshme, Nanije Koshi, Ferihane Canhasi, Bahrije Polloshka, Nashide Baraku, Zyrafa Rraci, Florije Rizvanolli, Hazbije dhe Samile  Haraqia, Nafije Nushi, Nadire Komoni, Muhamedije Bokshi, Shyrete Dyla etj.Vlen të përmendet edhe emri i Ganimete Vula-Nura, jo vetëm që ishte mësuese por ishte një aktiviste e madhe dhe njihet si parashutistja e parë shqiptare në Kosovë. Gjakova njihet si djep i artit dhe i kulturës.

Një kapitull në vete  është edhe paraqitja e femrave gjakovare si artiste dhe këngëtare. Në teatrin amator të kohës kanë luajtur ; Igballe Zherrka, Vera Binishi, Drita Bakija, Atifete Kryeziu, Jalldyze Rudi, Rabije Domi. Por ato që vazhduan si artiste profesionale janë motrat Qefsere dhe Mervete Kurtishi, Elida Shasivari etj.  Kurse si këngëtare janë dalluar; Zyhra Mula, Besa Arllati, Sadete Kupa, Bardhe Riza-Gjini, Gongje Çaushi, Hazbije Dautaga, Bahrije Shyti etj. Sanije Kryeziu njihet si harmonikistja e parë shqiptare, që në vitet 30-ta bënte muzikë që ishte rast i rrallë jo vetëm te ne. Samile Roka njihet si fotografja e parë femër në Kosovë që ka punuar jo vetëm në qytet, por edhe nëpër fshatra me shumë vështirësi por me një dëshirë dhe guxim të rrallë.

Në atë kohë një numër i konsiderueshëm i femrave gjakovare, përveç shkollave të ndryshme që i kryenin nëpër Kosovë shkuan për të studiuar edhe nëpër fakultete të ndryshme të Jugosllavisë si në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Lubjanë, Shkup e vende të tjera.  Për t’u përgatitur dhe për të dhëne kontributin e tyre edhe si eksperte të fushave të ndryshme. Më të parat janë; Lejla Rraci kryen studimet në Beograd si gjinekologe e parë shqiptare në Kosovë, Qamile Jaka kryen studimet për stomatologji. Sute Ali Polloshka në Beograd për farmaci, Litafete Nebi Komoni Xërxa studion për sociologji, Lirije Sahit Barku-Caka kryen studimet në Beograd për  filozofi dhe pedagogji, Behije Dashi kryen studimet në Beograd dhe ishte arkitektja e pare shqiptare në Kosovë. Mervete Isa Radoniqi është specializuar në Beograd për kardiologji dhe ka qenë ligjëruese në fakultet. Drita Bakija-Gunga  doktoreshë e historisë. Egjlale Dobruna ka studiuar në Zagreb dhe është arkeologja e parë shqiptare Nurije Shllaku Haxhikadrija ka kryer studimet në Sarajevë për ekonomi. Nysrete Vula-Mulla ka kryer studimet për letërsi është  marrë edhe me shrimin e poezive si poeteshë e pare shqiptare në këto anë. Nesrete Vula si albanologe, Myhybije Dushi kishte kryer studimet për fizikë. Nafije Meka ka kryer studimet për kimi dhe ka ligjëruar në fakultet, Samile Dushi ka kryer studimet në Shkup dhe Novi Sad për gjuhën Gjermane dhe ishte ligjëruese në fakultet. Raxhije Dushi Rogova ka kryer studimet në Shkup dhe Prishtinë për gjuhën angleze, kishte shkuar edhe në Angli për ta përvetësuar sa më mirë gjuhën angleze si femra e pare që doli jashtë shtetit dhe ishte femra e parë në Gjakovë që fillon mësimin e gjuhës angleze në shkolla të mesme. Pra  numri i femrave shqiptare ishte mjaftë i madh që u specializuan në fusha të ndryshme të dijes dhe të shkencës.

Që nga ajo kohë e deri tani numri i femrave intelektuale shqiptare është në rritje të vazhdueshme dhe mund të themi se është arritur një shkallë të lartë barazia gjinore në të gjitha fushat e jetës, Pjesa dërmuese e trupit arsimor nëpër shkollat e komunës së Gjakovës janë femra  Në të gjitha institucionet e vendit i hasim femrat duke punuar jo vetëm si punëtore por edhe si eksperte, Prej prokurorisë Shpresa Bakija e deri në qeveri si Atifete Jahjaga si Presidente e Kosovës.

Femrat tona sot janë deputete por edhe kryetare e komunës së Gjakovës si Mimoza Kusari Lila, pra edhe nëpër pozitat e vendim marrjes. Në saje të emancipimit të femrës është arritur edhe barazia gjinore dhe në pjesën më të madhe të familjeve tona nuk ka më diskriminim ndaj femrave por në harmoni e organizojnë jetën nëpër familjet e tyre.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *