Festa e futbollit: Abrashi falënderon tifozët
Gjakova të dielen mbrëma ka qenë në festë. Fitorja e Shqipërisë ndaj Rumanisë në kampionatin Evropian të futbollit që po mbahet në Francë, mbrëmë ka gëzuar jo vetëm tifozerinë e futbollit, por gjithë popullin. Kjo është parë mbrëmë jo vetëm nëpër familjet tona, por edhe nëpër sheshet, rrugët e kudo në Gjakovë, ku është festuar me flamuj, kolona veturash e muzikë deri pas mesnate. Gjakova ka pasur edhe një shkas shtesë për ta madhështuar festën pasi nga kjo komunë në kombëtare luajtën 3 futbollistë, Lorik Cana, Burim Kukeli e Amir Abrashi.
Mesfushori fantastik nga Gjakova, Amir Abrashi edhe në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Rumanisë zhvilloi një ndeshje spektakolare duke qenë edhe vrapuesi më i madh në ndeshje me 11,8 km. Ai pas ndeshjes ka qenë aktiv në faqen zyrtare të tij, duke shkruar edhe një status që ka marrë shumë pëlqime dhe komente. Fitoren historike ndaj Rumanisë 1-0, Abrashi ia dedikon tifozëve shqiptar por edhe atyre që nuk janë më. “Për ju që besuat, për ju që gjithmonë ju kishim afër dhe për ata që nuk janë më dhe ëndërruan këtë fitore. Faleminderit tifozët më të mirë në botë, fitorja është për miliona shqiptarë”, shkroi gjakovari që në këtë evropian ka bërë për vete miliona shqiptar me paraqitjet e tij brilante. Me këtë fitore, kombëtarja e Shqipërisë si e treta në grup me tri pikë, ka gjasë të vazhdoi garat në raundin e dytë të kampionatit, kuptohet duke u varur nga epilogjet e ndeshjeve në grupet tjera.