Saturday, April 6, 2024
AktualeIntervista

Fiona Polloshka INTELEGJENTE DHE SPORTISTE E DALLUAR

Fiona polloshka

 

Nxënësja e shkëlqyeshme dhe tenistja e suksesshme Fiona Polloshka, ka hyrë mes personave me dhunti të veçantë intelektuale. Në fakt  Qendra ENCOMPASS, me përkrahje nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka implementuar projektin ATOMI, i cili ka për qëllim identifikimin dhe përkrahjen e personave me inteligjencë të jashtëzakonshme. Ky projekt kishte për synim të përfshijë të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të larta të Kosovës (kl. X, XI, XII & XIII), përkatësisht  t’u ofrojë mundësi të gjithë këtyre nxënësve që të nominohen apo të aplikojnë. Pos  Fiona Polloshkës, nga komuna e Gjakovës në Top 50 kishin hyrë nxënësit me inteligjencë të jashtëzakonshme  edhe   Ylber Roka ,   Edita Pozhegu,    Art Deva , Endri Parashumti ,  Lisian Ajroni,  Lyra Bakija dhe  Nik Raja të clët përfunduan  shkollën verore dyjavore të Projektit “ATOMI”.

Fiona diturinë e ka dëshmuar edhe në vitin 2010 në garat e Gjuhës Angleze duke u shpallur më e mira në Kosovë  dhe pos medaljes së artë si shpërblim  ka fituar shkollimin e mesëm, konviktin dhe udhëtimin nga shkolla e mesme “Mehmet Akif”.

 


Kush është Fiona ?

Jam 16 vjeçare. Nxënëse e klasës së 11-të në shkollën e mesme të lartë “Mehmet Akif College” në Prishtinë. Shkollën fillore e kam përfunduar në  Gjakovë,  në shkollën”Mazllum Këpuska”  me sukses të shkëlqyeshëm.

 

Si mendoni se i keni arritur sukseset në mësime dhe në zgjerimin e njohurive të përgjithshme?

Suksesin në mësime e kam arritur me angazhim dhe punë sistematike, ndërsa në zgjerimin e njohurive mendoj se më ka ndihmuar fakti që jam shumë kureshtare, e prandaj interesohem të di më shumë për çdo gjë.

 

Thuhet se nxënësit e suksesshëm kanë një orar të mësimeve dhe leximit të vazhdueshëm. Cila është praktika jote?

Të jesh një nxënës i suksesshëm do të thotë të jesh vazhdimisht i angazhuar e në rrjedha mësimore. Mirëpo kjo nuk do të thotë që t’i dedikohesh krejtësisht mësimit e ta lësh anash jetën sociale. Thonë që njeri i lumtur është ai që e menaxhon mirë kohën, prandaj unë mundohem ta bëj këtë gjë. Por nxënës i suksesshëm nuk është domosdoshmërisht ai që kalon tërë kohën mbi libra. Gjej kohë për mësim dhe detyra, mirëpo gjithashtu një pjesë të madhe të kohës e kaloj me shoqëri, me familje ose duke luajtur tenis.

 

Si vendoset të aplikoni në projektin e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme?

Së pari, më informoi një shoqe e imja, e cila mendoi se do të ishte një ide e mirë që ne ta provonim veten. Pastaj pashë edhe reklamat e projektit “ATOM” nga organizata ENCOMPASS dhe e pashë se me të vërtetë ishte një projekt serioz nga i cili mund të përfitoja shumë. Prandaj vendosa të aplikoj.

 

Kush ua tha se keni më tepër inteligjencë se sa të tjerët e brezit tuaj?

Nuk e di, profesorët, shoqëria, familja e të gjithë ngapak. Por të them të drejtën nuk kam menduar shumë për këtë gjë. Vetëm vendosa të aplikoj dhe ta provoj veten në testin e inteligjencës.

 

Çfarë kanë përbërë testet, apo si iu është matur inteligjenca juaj?

Testet kanë pasur në përbërje pyetje me “Matrica Progresive”, do të thotë kanë qenë teste joverbale që nuk kanë përmbajtur as numra e as shkronja, por vetëm figura. Nga ato figura të dhëna ne është dashur ta gjejmë figurën që mungonte. Në bazë të rezultateve në këto teste janë zgjedhur 58 të kualifikuarit finalë me inteligjencë më të lartë.

 

Keni hyrë në dy teste. Cili nga këto teste ka qenë më i vështirë?

Testi i parë dhe i dytë kanë pasur strukturë të njëjtë, pra pyetjet kanë qenë me “Matrica Progresive” mirëpo niveli i vështirësisë ka qenë ndryshe. Testi i parë ka qenë më “i lehtë”, ndërsa në të dytin pyetjet kanë qenë më të komplikuara në mënyrë që përcaktimi i nxënësve finalë të bëhet sa më saktë.

 

Keni marrë pjesë në shkollën verore dyjavore të projektit Atom. Çfarë mundë të na thoni për ditët e kaluara në këtë shkollë?

Dy javët e kaluara shkollën verore të projektit “ATOMI” kanë qenë ditë të paharrueshme për mua sepse gjatë atyre dy javëve unë jam përmirësuar dukshëm në të gjitha aspektet. Organizata Encompass ( e cila e ka organizuar projektin ATOMI) ka bërë një punë të jashtëzakonshme në organizimin e saj. Qëllimi ka qenë që “talentët” apo nxënësit me inteligjencë të jashtëzakonshme të mund t’i zgjerojnë njohuritë e tyre jashtëshkollore e të mësojnë për jetën por gjithashtu kemi pasur edhe kohën e relaksimit dhe argëtimit . Këto i kanë arritur me anë të kurseve të avancuara, kurseve për jetën si dhe aktiviteteve argëtuese. Kurset e avancuara kanë qenë kryesisht për shkencat ekzakte dhe me profesorë ndër më të dalluarit në vendin tonë e më gjerë. Kemi pasur edhe debate e vizita të shumta ku kemi treguar njohuritë tona dhe kemi fituar njohuri të reja. Shkolla verore e këtij projekti ka qenë një përvojë që më ka ndihmuar në formimin tim si person.

 

Është thënë se nxënësit me inteligjencë të jashtëzakonshme janë vlerë kombëtare e pazëvendësueshme, mirëpo deri më tash nuk kanë tërhequr vëmendjen e duhur të shoqërisë. Cili është komenti juaj?

Duke qenë se Kosova është një shtet i ri dhe duke marrë parasysh gjendjen tonë politike kjo është sadopak e kuptueshme. Gjithsesi unë mendoj se kjo është një çështje mjaft e anashkaluar nga shoqëria si dhe autoritetet, që ndoshta do të mund të bënin më shumë. Është e vërtetë se nxënësit me inteligjencë të jashtëzakonshme janë pasuri kombëtare. Të investosh në ta do të thotë të investosh në të ardhmen e vetë shtetit. Besoj se herët apo vonë, të gjithë do ta kuptojnë që në këtë aspekt Kosova është shumë e pasur dhe do të dinë t’i shfrytëzojnë të mirat që sjellin këta persona.

 

Çka tentohet të arrihet me këtë projekt “Atomi” sipas mendimit tuaj?

Projekti ATOMI ka për qëllim përkrahjen, promovimin, fuqizimin dhe avancimin e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme. Organizata Encompass me projektin ATOMI ka bërë një punë të shkëlqyeshme në përkrahjen e tyre dhe në vetëdijesimin e shoqërisë për rëndësinë e këtyre personave. Ky projekt ka pasur sukses të madh, e pritet të ketë sukses edhe më shumë në të ardhmen. Edhe këtë vit do të mbahen testet e njëjta të inteligjencës, prandaj do t’u sugjeroja të gjithë nxënësve që të mos ngurrojnë e ta provojnë veten në këtë test. U garantoj se nuk do të humbin asgjë, përkundrazi do të përfitojnë shumë ashtu sikur unë dhe 57 finalistët tjerë.

 

Jeni edhe një sportiste, përkatësisht një teniste e dalluar? Pse e keni zgjedhur tenisin, kur ai tek ne është një sport ende i pa popullarizuar!?

Tenisi më ka pëlqyer gjithmonë, që kur kam qenë fëmijë. Si adhuruese e sportit, sapo kam parë mundësinë e kam përdorur dhe kam filluar të merrem me tenis. E kam zgjedhur tenisin sepse është “Sport i bardhë” siq e quajnë, pra është paqësor, i bukur dhe shumë relaksues. Më pëlqen ndjesia që më jep dhe nuk do ta ndërroja me asgjë tjetër. Edhepse në Kosovë tenisi është ende në fazat e para të zhvillimit, kohëve të fundit po vërehen përmirësime të mëdha. Unë dua të jem pjesë e kësaj, pra dua ta ndihmoj sadopak tenisin kosovar që të përparojë.

 

Çfarë rezultate keni arritur deri me tash në tenis?

Gjatë “karrierës” time të shkurtër të tenisit kam arritur mjaft suksese dhe e konsideroj veten me shumë fat. Kam fituar disa turne në nivel të Kosovës, ndër të cilat veçoj turneun “Prishtina Open” kategoria U18 më 2011, “Sporek Open” në Gjakovë, të cilin e kam fituar 3 herë (në kategoritë U14 dhe U16), më 2009, 2010 dhe 2012 e shumë çmime të tjera si finaliste. Gjithashtu jam shpallur “Tenistja e Vitit 2011”, arritje për të cilën ndihem shumë e nderuar. Mirëpo këto rezultate nuk do të mund t’i kisha arritur pa punë, pa ndihmën e familjes, e sidomos të babait tim që gjithmonë më ka përkrahur maksimalisht dhe të trajnerit tim Arsim Haxhishabani i cili më ndihmoi ti hedh hapat e parë të tenisit.

 

Sa ju ndihmon tenisi në arritjet në procesin edukativo arsimor?

Siç e thashë edhe më parë, tenisi është një sport relaksues, që të ndihmon ta largosh mendjen nga shkolla apo obligimet, në mënyrë që të kesh një jetë sa më pak stresuese. Tenisi është një sport që përpos aktivitetit fizik të jep dhe shumë vlera siç janë durimi, shpirti garues dhe fuqia mendore, të cilat s’mund të t’i japë asnjë sport tjetër.

 

Jemi në vitin jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Cili është urimi i Fiones?

Unë dua t’iu uroj të gjithë shqiptarëve anembanë këtë datë monumentale dhe t’u them se pavarësisht se ku ndodhemi, kjo është festa e të gjithëve sepse ne të gjithë jemi një…(Bisedoi  Z.V)