Wednesday, April 3, 2024
AktualeLajme

Gjakova proteston si asnjëherë më parë

IMAG0493web3

Nuk mbahet mend një kohë të gjatë që në Gjakovë të jenë mbledhur kaq shumë protestues për të shfaqur mllefin e tyre. Të shtunën nga ora 14.00 me pankarta në duar dhe thirrje “Jabllanovic jashtë”,”Fashizmi nuk kalon” e tj… mijëra e mijëra protestues  kërkuan shkarkimin  e  ministrit për kthim në  Qeverinë e  Kosovës Aleksandar Jabllanovic  për deklaratat fyese ndaj nënave gjakovare, duke I quajtur “egërsira’ pse kishin protestuar ndaj ardhjes së pelegrinëve serb në Kishën ortodokse në Gjakovë.

Protesta ishte thirr nga Shoqata  e të zhdukurve të Gjakovës “Thirrjet e Nënave” dhe Lëvizja Vetëvendosje të cilës iu bashkuan  edhe mijëra qytetarë të Gjakovës dhe nga qendrat tjera të vendit. Krahas  përfaqësueseve të kësaj shoqate që Ishin  fyer më së rëndi, kishte edhe përfaqësues të subjekteve tjera politike që në ballë të protestës  mbanin pankartën e madh me fotografi të qindra personave të kidnapuar e të zhdukur nga kriminelët serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për shkak të numrit të madh të protestuesve marshimi nuk përfundoi në Çarshinë e Vogël, sic ishte planifikuar, por vazhdoi rrugës Ali Pashë Tepelena dhe skaj rrugës së shkollave të mesme të Gjakovës për tu përmbyllur  e qetë në qendër të qytetit.

Nga ana tjetër, më shumë se 1500 nënshkrime janë mbledhur që nga ora 11:00, kur ka nisur peticioni për kallëzim penal ndaj ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksander Jabllanoviq.

Shkendije Hoda, nga Këshilli i Shoqërisë Civile, tha se ky kallëzim penal do të dërgohet në Gjykatën Themelore të Gjakovës, do t’i dërgohet kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusarit, kryeministrit Isa Mustafa, si dhe Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi, pasi ministri Jabllanoviq ka ofenduar qytetarët e Gjakovës.

Në tekstin për kallëzim penal kundër ministrit Jabllanoviq thuhet kështu:

“Kallëzim penal kundër Aleksandër Jabllanoviqit, ministër për Kthim dhe Komunitet në Qeverinë e Republikës së Kosovës, për arsye se me datë 06.01.2015, me rastin e festës së Krishtlindjeve ortodokse, në deklaratën e tij në televizione publike ka ofenduar rëndë banorët e Komunës së Gjakovës, pa cilësuar me emër ndonjërin i ka quajtur egërsira. Me këtë rast, Aleksandër Jabllanoviq më ka fyer edhe mua si banor i Komunës së Gjakovës, prandaj duke na fyer publikisht ai ka kryer vepër penale sipas Nenin 147, paragrafit 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ka shkelur Nenin 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.