Sunday, September 1, 2024
Sporti

KB Vëllaznimi: Fitore në Prizren, mendjen në Gjakovë tek Trepça

KB Vëllaznimi ka luajtur sot në Prizren duke shënuar fitoren e gjashtë me radhë, kësaj radhe duke mundur Proton Cable Prizrenin në udhëtim me rezultat 93:97 (23:29, 28:24, 23:26, 19:18), por mendjen e kishte tek xhiroja e ardhëshme që do të luhet në Gjakovë me KB Trepçën.

Çereku i parë ishte i barabartë deri në fund, kur mysafirët që kishin përkrahje nga një numër i konsiderueshëm i tifozëve me një seri prej 3:9, e fituan këtë pjesë 23:29. Megjithatë, vendasit u rikthyen shpejt dhe barazuan rezultatin, ku periudha e dytë ishte e barabartë, ndërsa pjesa e parë përfundoi 51:53.

Kuqezinjtë e filluan furishëm periudhën e tretë, duke pasur epërsi deri në 14 pikë, 62:76, por prizrenasit sërish u rikthyen, duke zvogëluar epërsinë, ku rezultati pas 30 minutash ishte 74:79. Vëllaznimi sërish u shkëput në dhjetë minutat e fundit, në 82:93, por vendasit tentuan rikthimin e madh, duke afruar rezultatin në 91:93, por kuqezinjtë ruajtën epërsinë dhe fituan 93:97.

Më të mirët te skuadra nga Gjakova ishin Sammuel Sessoms me 33 pikë, gjashtë kërcime e dhjetë asistime, J.Ray 16, J.Dalas 14 e kështu me radhë.

Vëllaznimi ka  gjashtë fitore e katër humbje.

Klubi I Basketbolit Vëllaznimi në faqen zyrtare, pas fitores së sontme ka shkruar: “Triumfojmë në Prizren duke u ngjitur kështu në vendin e tretë dhe duke vazhduar serinë magjike të fitoreve. Kjo ndeshje ishte në udhëtim, por ekipi kishe përkrahje si në shtëpi falë përkrahjes masive të publikut tonë që udhëtoi dhe që krijoi atmosferë shembullore në palestrën “Sezai Surroi”. Ta shijojmë momentin dhe me këmbë në tokë fundjavën tjetër presim KB Trepçën, në duelin më të madh të sezonit deri tani”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *