Wednesday, June 5, 2024
AktualeKulturëLajme

Kori nga Gjakova ngre në këmbë artdashësit zviceranë

Kryeparlamentarja e Zvicrës, Maya Graf: “I trimëroj familjet kosovare në Zvicër të punojnë për njohjen e ndërsjellë të kulturave. Kjo thyen paragjykimet”

Në mbrëmjen e 27 tetorit 2013, në „Elisabethen Kirche“ të Bazelit, qindra dashamirë të muzikës korale, me dhjetëra herë duartrokitën koristët e shkollës së mesme të muzikës „Prenk Jakova“ nga Gjakova si dhe Korin e djemve nga Bazeli.

Kor o shkolles semuzikes ne bazel„Vetëm para një jave u hap festivali “Culturescapes” në Teatrin e Bazelit dhe ju sot keni ardhur në numër kaq të madh. Më gëzon tejmase që sonte do të kënaqemi me ekzekutimin e shumë këngëve të mrekullueshme shqipe. Me këtë rast falënderoj përzemërsisht Korin e djemve (Knabenkantorei) nga Bazeli për bashkëpunimin me korin e Gjakovës“, tha para të pranishmëve drejtori i festivalit „Culturscapes“, Jurrian Coiman.

“Sikur ta dini se në çfarë rrethanash të vështira krijohet dhe jetësohet muzika në Gjakovë e Kosovë, por edhe se sa e rëndësishme është muzika për ne, atëherë nëse në përfundim të këtij koncerti mbase edhe mund të ndihmoni që kjo krijimtari të avancojë edhe më shumë, atëherë do t´ju jem shumë mirënjohës”, tha z. Coimman,. Kjo për faktin se, siç u shpreh ai, “me donacionin tuaj ju mundësoni që ky udhëtim të rezultojë suksesshëm dhe me këtë rast ju dëshiroj një koncert të mirë e të suksesshëm“.

astrit pallaska ne Zvicer 1(Foto albinfo.ch: Kryeparlamentarja zvicerane Maya Graf përgëzon dirigjentin kosovar Astrit Pallaska për suksesin e arritur)

Dirigjenti entuziast nga Gjakova, Astrit Pallaska, publikut zviceran e shqiptar nga Bazeli që në fillim u premtoi një program përmbajtjesor, duke prezantuar vlera artistike muzikore shqiptare.

Mësuesi zviceran: “Sikur të kisha mundësi që këtë muzikë ta merrja me vete në shtëpi“

Këngët popullore shqiptare të përpunuara për kor, ngritën në këmbë të pranishmit, të cilët koristët dhe dirigjentin e tyre i shpërblyen me duartrokitje frenetike. Një duartrokitje më të gjatë pati kënga „Sa kohë e gjatë, sa kohë pa u parë“ (pjesë nga mjuzikli “Arjeta e Gëzimi”,  interpretuar nga dueti Edonjeta Hajdari dhe Vali Kuqi e në shoqërim të korit.

Paraqitja e Korit të djemve nga Bazeli dhe Korit nga Gjakova, të cilët bashkërisht ekzekutuan këngë shqipe e gjermane, zgjoi emocione të veçanta te të pranishmit. Dirigjentët Astrit Pallaska e Markus Teutschbein, me punën e tyre, dëshmuan se muzika thyen çdo barrierë dhe se është përafruesja më e mirë mes popujve.

astrit pallaska ne Zvicer 2(Foto: albinfo.ch: Dirigjenti Astrit Pallaska me korin e shkollë së muzikës së mesme nga Gjakova

Me të përfunduar të koncertit shumë të pranishëm fshinin lotët e ngazëllimit. Mësuesi Urs Müller që kishte ardhur nga Oftringen, emocionet e tij i shprehu me një fjali të vetme: „Ah, sikur të kisha mundësi që këtë muzikë ta merrja me vete në shtëpi“.

Më të ngazëllyerit nga kjo paraqitje, por edhe nga paraqitjet tjera të këtyreditshme ishte çifti bashkëshortor Georg dhe Dorothea Fankhauser që janë edhe shtylla kryesore e këtij organizimi.

Kryeparlamentarja e Zvicrës, Maya Graf trimëron kosovarët për projekte kulturore bashkëpunimi

Këtë mbrëmje, në mesin e elitës kulturore të Bazelit ishte e pranishme edhe kryeprlamentarja e Zvicrës, zonja Maya Graf.

E fascinuar nga suksesi i të dy koreve, ajo për albinfo.ch deklaroi: „Është mbresëlënëse kur një kor i një vendi këndon bashkë me një kor të një vendi tjetër. Kjo dëshmon se muzika është një përkthyese. Ajo mund ta përkthejë kulturën, që ne me gjuhën tonë nuk mundemi ta bëjmë. Shkëmbimet kulturore, muzikore janë shumë të rëndësishme, sepse është edhe një fushë tjetër nga, p.sh. temat politike dhe çështjet faktike”, u shpreh Graf për rëndësinë e bashkëpunimit kulturor.

Ndërkohë, ajo foli edhe për vizitën e saj të paradokohshme në Kosovë. “Ç´është e vërteta, në pranverën e sivjetshme unë isha në Kosovë me një delegacion parlamentarësh dhe kam ardhur në përfundim se shumë zviceranë dhe zvicerane angazhohen në baza private, në Kosovë. Po ashtu atje angazhohen edhe zviceranë zyrtarë si dhe kosovarë që jetojnë në Zvicër. Me këtë rast unë i trimëroj të gjithë që të  angazhohen edhe më tepër e sidomos familjet kosovare që jetojnë këtu në Zvicër të punojnë për njohjen e ndërsjellë të kulturave. Përmes shkëmbimit kulturor, natyrisht, mund të thyhen paragjykimet. Unë shpesh them se në jetën e përditshme ka probleme të bashkëjetesës, porse duhet pasur mirëkuptim të dyanshëm dhe kjo më së miri bëhet përmes ndërmjetësimit kulturor. Nga popullata kosovare në Zvicër, shumë prej tyre tashmë janë bërë zviceranë dhe ata janë një pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë. Mendoj, ata punojnë te ne dhe jetojnë me ne.

Gjenerata gjithnjë po shtohet e kjo është një potencial i madh dhe unë nuk dyshoj fare që shkëmbimi kulturor vetëm sa e forcon edhe më tepër bashkëjetesën. Edhe një herë do të potencoja që popullata kosovare së bashku me miqtë zviceranë duhet të investojë në Kosovë, pra në fushën e kulturës, në atë sociale etj. Dhe kështu ta marrë këtë rol të ndërmjetësimit për të ndihmuar në Kosovë që ta ndihmojnë më tutje zhvillimin e vendit”, tha mes tjerash kryeprlamentarja e Zvicrës zonja Maya Graf.

Xhevdet Kallaba