Sunday, April 28, 2024
AktualeLajmet e shpejta

Kremtohet 9 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Atmosfera e festës së Pavarësisë së Kosovës po ndjehet kudo në vend, ndërkohë që Gjakova është stolisur me flamuj shtetëror e kombëtarë për ta pritur e gëzuar këtë kremte. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për popullsinë shqiptare . Për vite me radhë, deri në qershor të 1999-ës, shqiptarët e Kosoves vuajtën pasojat e spastrimit etnik. Gjakovarët këtë datë e kujtojnë me krenari e pietet sepse lirisë dhe pavarësisë së Kosovës ndër breza i dhanë shpirtin, mendjen dhe sëfundmi I dhanë bijtë më të mirë të saj të renditur në radhët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës  të cilët me pushkë në dorë iu kundërvun forcave armiqësore serbe. Ndaj kjo festë vjen në qytetin tonë   duke  përkujtuar qindra bijë të sajë dëshmorë dhe martirë, të cilët ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. E rrugëtimi i pavarësisë ishte i gjatë dhe i mundimshëm. Pas përfundimit të luftës dhe arritjes së lirisë së Kosovës, në qershor të vitit 1999, dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar. Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.   Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008. Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur më 10 shtator 2012, shihet si një mundësi për shtyrjen më tej të hapave për integrimin e Kosovës. Sfida më e afërt për shtetin e ri është heqja e vizave, por kryesorja mbetet aspirata për hyrjen në NATO dhe integrimin në BE. Zyrtarisht, deri më sot, Kosovën e kanë njohur 113 shtete.