Kujtohen Fatmir Kerleshi dhe Xhevat Hoxha
Në 24 vjetorin e rënies së Fatmir Kërleshit dhe Xhevat Hoxhës në demonstratat e vitit 1990 të mbajtur në lagjen “Gecë”, që tashmë në saje të rënies së këtyre dy demonstruesve paqësor, parku i kësaj lagje emërtohet “Parku i Lirisë”, nën patronatin e kryetares së Komunës, Mimoza Kusari Lila, sot në orët e paraditës janë bërë homazhe në varrezat e tyre, si dhe tek vendi i rënies. “Sot, po kujtojmë një përvjetor të veprës së tyre sublime, dhe po e rikthejmë në vend të duhur me këtë përkujtim padrejtësinë që u është bërë deri më tani, duke mos i harruar më dhe duke i kujtuar ashtu siç e meritojnë. Ne tani, ato padrejtësi po i shmangim dhe në përvjetore të tilla të lavdishme do ti kujtojmë të rënët, pasi ata janë kontribuesit e çmuar që me sakrificën e tyre kanë ndërtuar të sotmen tonë” ka pohuar kryetarja Mimoza Kusari Lila, pas homazheve të bëra tek vendi i vrasjes, ku pos bashkëpunëtorëve të saj kanë marrur pjesë edhe qytetarë dhe demonstrues të asaj kohe, për çfarë familjarët janë shprehur falënderues ndaj këtij organizimi nga kryetarja e Komunës si dhe ndaj pjesëmarrësve në homazhe në nderim të Fatmir Kërleshit dhe Xhevat Hoxhës.Ndërkaq, sot në ora 17:00, në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova”, nën patronatin e kryetares së Komunës, Mimoza Kusari Lila, do të mbahet akademi përkujtimore.