Wednesday, April 3, 2024
Kulturë

Kujtohet mësuesi i ditëve të para Ibrahim Fehmiu dhe Normalja e Gjakoves

Ibrahim_Fehmiu (1)

“Gjeneratat e para të Normales së Gjakovës ishin lokomotiva e arsimit shqip, që asokohe shërbeu për krijimin e rrugës për gjeneratat e ardhshme deri në ditët e sotme”.

Kështu u tha në një akademi që u mbajt të shtunën në Gjakovë, në kuadër të shënimit të 65-vjetorit të diplomimit të gjeneratës së dytë të Normales së Gjakovës (1947 – 1949) dhe 122-vjetorit të lindjes së Ibrahim Fehmiut, njërit prej pishtarëve të parë të arsimit shqip.

Në praninë e disa ish-maturantëve të kësaj gjenerate, dhe shumë mysafirëve tjerë, foli Arsim Fehmiu, nxënës i kësaj gjenerate dhe i biri i mësuesit të popullit Ibrahim Fehmiu.

“Nxënësit e kësaj shkolle, në veçanti dy gjeneratat e para, dolën me detyrë anembanë Kosovës, por edhe jashtë kufijve të saj. Ata e kishin për detyrë që ta përhapin kulturën, arsimin dhe dijen në gjuhën tonë të ëmbël shqipe, mu në atë kohë kur afër 85 % e popullatës ishte analfabete dhe kur në shumicën dërmuese të fshatrave tona nuk kishte shkolla. Këta maturantë, asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë kërkesë apo vërejtje për kushtet e punës së tyre, sepse udhëhiqeshin nga ideali i lartë patriotik. Ata e dinin se dija është dritë, është fuqi që na çon përpara, na bën zot të vetvetes”, ka thënë Fehmiu.

E përderisa ky i fundit ka folur për këtë gjeneratë të artë të Normales së Gjakovës, akademik Pajazit Nushi ka folur për veprën e mësuesit Ibrahim Fehmiu, duke përmendur kështu kontributin e tij që nga vitit 1912 kur nisi punën si mësues e deri në vdekjen e tij.

“Ibrahim Fehmiu bashkë edhe me disa emra tjerë të fushës së arsimit sikurse Niman Ferizi, Qazim Bakalli e të tjerë e kanë krijuar masën gjenetike të zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe kombëtar të shqiptarëve, të cilën studiuesit me plot të drejtë e quajnë vatër e pashuar e zhvillimit të vetëdijes kombëtare shqiptare”, ka thënë akademik Nushi.

Këtë akademi e ka përshëndetur edhe kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, e cila në fjalën e saj mes tjerash tha se jeta dhe vepra e Ibrahim Fehmiut duhet të shërbejë si shembull për gjeneratat e reja për të ecur fuqishëm përpara.

Me këtë rast është promovuar një monografi me autor Arsim Fehmiun, e cila i kushtohet gjeneratës së dytë të Normales së Gjakovës.