Saturday, February 3, 2024
Lajme

Lamtumirë ikona e muzikës shqipe, Ismet Peja

Ikona e  muzikës shqipe Ismet Peja ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare dhe është varrosur sot në varrezat e qytetit në Gjakovë . Në orët e paradites Radio Gjakova për disa orë  ka transmetuar  biseda e këngë të Ismet Pejës,  që për mbi 41 vjet  sa funksionon ky institucion informativ, kanë  qenë gjithnjë të kërkuara nga adhurues të muzikës.

Gjakova, Kosova dhe mbarë shqiptaria, i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit, doajenit të këngës popullore e qytetare, njërit prej ikonave të fundit të gjeneratës së artë të muzikës gjakovare, këngëtarit Ismet Peja.

Në ceremoninë e varrimit organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës së Gjakovës Ardian Gjini, në mesin e shumë qytetarëve, morën pjesë edhe përfqaësues të institucioneve qendrore e lokale dhe personalitete të shumta nga jeta kulturore e aristike.

Në fjalën e tij, kryetari i komunës së Gjakovës Ardian Gjini, mes tjerash ka thënë se humbja e këngëtarit Ismet Peja është humbje e madhe për familjen, miqtë e dashamirët, adhuruesit por edhe tërë vendin tonë, megjithatë, me kontributin e tij, Ismet Peja ka bërë që humbja e tij të jetë vetëm fizike, pasi ai do të jetojë gjatë për breza të tërë tek populli ynë.

Nga ana tjetër, ministrja e ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, duke folur në emër të qeverisë së republikës së Kosovës, ka thënë se Ismet Peja do të kujtohet dhe do të vlerësohet gjithmonë, falë veprës së lënë përmes këngëve të tij, të dashura e të dëgjuara nga tërë adhuruesit e muzikës.

Në emër të komunitetit artistik, një fjalë rasti e ka mbajtur këngëtari Shkëlzen Jetishi, i cili ka rikujtuar se i ndjeri Ismet Peja, me profesionalizmin dhe dashurinë për këngën, ka qenë shembull që është ndjekur nga të gjithë brezat e këngëtarëve që kanë ardhur pas tij, ndërsa në emër të familjes Peja, në këtë ceremoni mortore ka folur, kushëriri dhe njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërm të këngëtarit të ndjerë, Masar Peja i cili ka rikujtuar kontributin dhe trashëgiminë artistike që Ismet Peja e ka lënë pas vetes.

Për të nderuar veprën e tij, para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prishtinë ishte  vendosur baneri me fotografinë e tij dhe janë lëshuar këngë të tij.

Derisa në sfond dëgjohej muzika e Ismet Pejës, para MKRS-së bëri homazhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi.

Hoti tha se Ismet Peja do të mbahet mend për këngët e tij qytetaret dhe se këngët e tij u dëgjuan në gjitha trojet shqiptare, derisa ka theksuar se do ta kujtojnë përherë.

“Bëmë nderime tek ikona e muzikës shqiptare i cili do të mbahen mend për këngët e tij qytetare. Nuk ka shqiptarë jo vetëm në Kosovë, por në gjitha trojet shqiptare. Ky ka hy në historinë artistike të Kosovës. ne të gjithë jemi rritur me këngët e tij dhe sot vërtetë është ditë e dhimbshme për familjen e tij, për komunitetin artistik por ne do ta kujtojmë gjithmonë me këto këngë që po dëgjoni në sfond”, tha Hoti.

Vdekjen e Ismet Pejës lajm të trishtë e ka quajtur ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi.

“Në mëngjes ishte një lajm mjaft i trishtë për ikjen nga kjo botë e dohaemit të madh të muzikës popullore zotit Ismet Peja. Ne si MKRS dhe si ministre kam kontaktuar familjen e tij, djalin Visarin ku i kam shprehur ngushëllime dhe e kanë gjithmonë mbështetjen tonë”, u shpreh Dumoshi.

Varrimi i këngëtarit Ismet Peja, është përciellë në sfond nga kënga “Të desha me hakikat”, njëra prej këngëve të para që këngëtari pari regjistruar në fillet e karrierës së tij më shumë se 60 vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *