LDK hap fushaten elektorale
Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Gjakovë, e ka mbajtur të premten në mbrëmje tubimin e madh elektoral, në të cilin është shpalosur platforma politike e kësaj partie dhe projekti qeverisës për 4 vjetet e ardhshme. Me këtë rast, kandidati për kryetar të komunës Luan Gola, ka thënë se vetëm LDK-ja është ajo parti e cila mund ta sjellë ndryshimin për Gjakovën, pasi është parti e cila është e gatshme të qeverisë me dinjitet dhe me duar të pastra.
Duke shpalosur në detale programin qeverisës, Gola ka thënë se ndryshimet në Gjakovë do të vërehen qysh në ditët e para të qeverisjes së LDK-së. Ai ka folur për secilën fushë veç e veç, ndërsa ka shtuar se theks i veçantë do t’i kushtohet zhvillimit ekonomik, rivënien në funksion të Çarshisë së vjetër, bujqësisë, arsimit, urbanizmit dhe mbrojtjes së mjedisit, kulturës, rinisë dhe sportit, fusha këto që sipas Golës janë degraduar nga qeverisja e deritashme lokale.
“Unë ju kërkoj që me datën 3 nëntor të bëheni pjesë e ndryshimit. Të dalim masovikisht në votim, sepse vetëm në atë mënyrë, tregojmë se jemi për Gjakovën dhe shprehim vullnetin e ndryshimit të situatës së krijuar”, ka thënë Gola mes brohoritjeve të simpatizantëve të mbledhur në sallen e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ka thënë se Gjakova nuk e meriton të mbetet kështu siç është sot, sepse Gjakova është qytet i dinjitetit, i krenarisë dhe i dhimbjes, prandaj, ka vazhduar ai, Gjakova duhet të ja japë besimin LDK-së sepse kjo parti e respekton dinjitetin dhe krenarinë e Gjakovës dhe e ndjenë dhimbjen që ka Gjakova.
“Fitorja padyshim që do të jetë e LDK-së në shumicën e Kosovës. Dhe unë jam i bindur që nëse dikush e meriton fitoren në këtë Kosovë, e meritoni ju gjakovarët. Ju e keni krenarinë tuaj sepse keni dhënë shumë për këtë liri të Kosovës e keni dinjitetin tuaj sepse keni duruar shumë e keni edhe dhimbjen e juaj, të cilën e kupton LDK-ja dhe të cilën duhet ta kuptojë Kosova. Gjakova ka përfituar shumë pak karshi kontributit që e ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Mustafa.