Monday, June 10, 2024
Lajme

Mbahet Panairi i produkteve vendore

“Javët e Biznesit Kosovar 2017”, kanë vazhduar të enjten në Gjakovë me ekspozimin e mbi katër mijë prodhimeve vendore nga mbi tetëdhjetë biznese kosovare.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se Gjakova dikur ishte vend i zhvilluar ekonomikisht e me shumë të punësuar, ndërsa tash disa vjet është shndërruar në një vend tregtie e papunësie.

“Jemi këtu për të promovuar prodhimet vendore, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të stimuluar bizneset në atë mënyrë për të rimëkëmbur e kthyer zhvillimin dhe punësimin e qytetarëve në mënyrë që të mos largohen më qytetarët për punësim në vende të jashtme”, tha Shahini.

Sipas tij Gjakova është traditë e konsumit të prodhimit vendor dhe jemi këtu si shenjë respekti e falënderimi që jeni besnik i traditës kombëtare.

Ai kërkoi nga gjakovarët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që sa më shumë të konsumojnë prodhimet vendore e të cilat janë më cilësore se ato të importuarat.

Argjend Fetahu, koordinator i AKB-së në Gjakovë, tha se “Javët e Biznesit Kosovar” për herë të parë realizohen në Gjakovë, ku prodhimet e tyre po i promovojnë mbi 80 kompani dhe mbi 4 mijë produkte. Ai kërkoi nga gjakovarët që të konsumojnë prodhimet vendore në mënyrë që të ketë zhvillim më të hovshëm ekonomik, punësim, mirëqenie dhe ndalje të eksportit të parave të gatshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *