Mbi 5 mijë qytetarë të papunë aplikuan për të përfituar nga pakoja emergjente
Mbi 5 mijë qytetarë kanë aplikuar në Qendrën për Punësim në Gjakovë për të përfituar nga Pako Emergjente e Qeverisë së Kosovës. Shumica e aplikacioneve janë bërë në mënyrë fizike nga qytetarët, duke rrezikuar kështu jetën e njeri tjetrit. Drejtori i kësaj qendre, Kujtim Dula, tha se prej datës 13 prill kur ka filluar aplikimi, në këtë qendër fizikisht kanë pranuar mbi 3 mijë e 500 aplikacione, ndërkaq përmes emailit deri më sot kanë aplikuar edhe rreth 1 mijë e 800 qytetarë. Por, sipas drejtorit, Dula, jo të gjithë këta qytetarë, që po aplikojnë, mund të përfitojnë nga kjo ndihmë e qeverisë së Kosovës.
“Përfitues nga 130 euro për tre muaj, do të jenë vetëm ata të papunë që në familje nuk kanë asnjë të ardhur,” ka thënë Dula duke shfaqur shqetësimin për radhët e gjata të aplikuesve para zyrave, në kohën e përhapjes së pandemisë.
Ai tha se detyra e Qendres së punësimit, është që të bëjnë evidentimin dhe sistemimin e aplikimeve, ndërkaq që këto aplikime kalojnë nëpër një sistem të verifikimit nga institucione të tjera financiare.