Friday, March 29, 2024
AktualeLajme

Mimoza ulet në postin e kryetares

mimoza pranimi

Qindra qytetarë kishin dalë ti urojnë punë të mbarë kryetares së re të komunës. Nuk kanë munguar duartrokitjet e mbështetjes . Në fakt fituesja e zgjedhjeve të 1 dhjetorit Mimoza Kusari Lila ka filluar të hënën  punën si Kryetare e re e Komunës së Gjakovës me ç’rast fillimisht ka bërë homazhe në varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve në Meje dhe Çabrat, ku është pritur nga një numër i madh i familjarëve.

Në orën 10:00, Kusari Lila ka pranuar edhe zyrtarisht nga ish Kryetari Pal Lekaj detyrën e Kryetares së Komunës së Gjakovës. Me këtë rast Kryetarja Kusari Lila e ka vlerësuar procesin e fundit zgjedhor  si demokratik dhe ka siguruar të gjithë banorët e Komunës së Gjakovës se do të angazhohet për përmirësimin e jetës dhe zhvillimin e Komunës së Gjakovës.

“Për ne është me rëndësi që i gjithë ky process zgjedhor të pasohet edhe me qeverisje të mirë, në menyrë që të realizohen gjitha ato pritje i kan qytetarët e komunës së Gjakovës dhe të gjithë të ndihen se janë të përfaqësuar. Unë e kam thënë shumë herë deri me tani se ndjehem dhe do të jem kryetare e gjithë banorëve të komunës së Gjakovës”, ka thënë Kusari – Lila gjatë pranimit të detyrës.

Nga ana tjetër, ish – kryetari Lekaj, pasi e ka vlerësuar si të sukseshme qeverisjen lokale në dy mandatet e fundit, ka shprehur shpresen e tij që edhe qeverisja dhe kryetarja e re të jenë të suksesshëm dhe në shërbim të qytetarëve.

“Unë do t’i gëzohem çdo të mire në Gjakovë. Unë do të qëndroj në Gjakovë dhe do të jem opozitë e mirëfilltë. Aty ku ka të mira do të keni mbështetje të fuqishme, por edhe ato ku ka dobësi unë do të jem zëri i arsyes”, ka thënë Lekaj.

E pas pranimit zyrtar të detyrës, kryetarja Kusari – Lila gjatë tërë ditës ka bërë vizita në institucione të ndryshme, duke filluar nga stacioni policor, disa nga shkollat e komunës së Gjakovës, në Brigadën e Zjarrfikësve e të tjera. Pasdite ishte edhe ne shkollen e Ponoshecit.

“Jo rastësisht në ditën e parë të punës kam dëshiruar që të vizitoj shkollën tuaj, pasi që edhe gjatë fushatës kam kuptuar për mungesen e ngrohjes dhe problemet tjera që nxënësit përballen gjatë mësimit. Ju siguroj se do angazhohem që sa më shpejt të zgjidhi problemin për sigurimin e ngrohjes dhe mbes e përkushtuar që fshati Ponoshec të ketë një shkollë të re që do I plotësoj kushtet për nxënësit që vijojnë mësimet këtu”, tha kryetarja Kusari Lila.

Më pas Kusari Lila ka vazhduar vizitën në Rogovë të Hasit ku fillimisht ka bërë homazhe në varrezat e Dëshmorëve si dhe ka vizituar shkollën fillore “Haxhi Hoti” ku është pritur nga Drejtori, mësimdhënësit dhe nxënësit e shumtë.

Me këtë rast znj.Kusari Lila i ka siguruar banorët e Rogovës se gjithmonë në fokus të saj do të jetë përmisimi i infrastrukturës shkollore duke krijuar kushte sa më të mira për nxënësit.

mimoza gjimnazi
Në gjimnazin e Gjakoves

Pritje madhështore për Kryetaren Mimoza Kusari Lila, kishin organizuar edhe nxënësit dhe mësimdhënësit e gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë.

Me kjëtë rast Kryetaren e re e priti drejtori i Gjimnazit  Bedri Cahani i cili e përgëzoj atë me rastin e fillimit të punës.

Kusari Lila u shpreh e kenaqur që gjimnazi “Hajdar Dushi”, shkolla në të cilën edhe vet kishte kryer mësimet, tashmë ka një infrastrukturë të përmisuar.

“Ndjehem jashtëzakonisht mirë, që shkolla në të cilën mësova dikur, sot ka një infrastrukturë të përshtatshme dhe po ashtu më vjen shumë mirë që sot para jush vi më shumë  si një produkt I angazhimit dhe vlerave qe gjithmonë ka promovuar gjimnazi, se sa si Kryetare e Komunës së Gjakovës. Ju siguroj që përkrahjen time do ta keni gjithmonë dhe së bashku vetëm sa do ngrisim cilësin e arsimit në Komunën e Gjakovës” tha ndër të tjera Kusari Lila.

Një vizitë  e bëri edhe në familjen Qerkezi, konkretisht në “Shtëpin Muze” ku takoj nënën Ferdane Qerkezi dhe nënat tjera të përsonave të pagjetur.

Kusari Lila tha se është e pamundur të fillohet një punë për Komunën e Gjakovës pa kujtuar vepren e lavdishme të Dëshmorëve, Martirëve dhe viktimave të luftës.

“Sot, fillova ditën me homazhe për të treguar se vepra  e atyre që dhanë më të shtrenjtën do të jetë inspirim për punën tonë të përbashkët, në mënyrë që dëshirën dhe amanetin e tyre ta përmbushim me zhvillimin e Komunës së Gjakovës. E vlerësoj përkrahjen e juaj morale që ma keni dhënë gjatë këtyre ditëve dhe të rënët që padyshim na mungojnë të gjithëve ti kujtojmë me krenari, kurse ne së bashku ti gëzohemi të sotmes dhe të ardhmes sonë të ndritur”, thaKusari Lila.

Në fjalen e saj znj. Ferdane Qerkezi, falenderoj Kryetaren Kusari Lila për vizitën si dhe e  njoftoj me rëndësinë që paraqet për vlerat e luftës shtëpia muze, të cilën e ka krijuar vetë. Po ashtu Qerkezi kërkoj nga Kryetarja e re e Komunës së Gjakovës që të ndikoj që kjo shtëpi të njihet si muze edhe në aspektin zyrtar.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës  Mimoza Kusari Lila ka vazhduar vizitat edhe tek disa përsona të moshuar me aftësi të kufizuar ku nga afër I ka falenderuar për pjesmarrjen në zgjedhjet e 1 dhjetorit.

Mimoza Kusari – Lila, bashkë edhe me anëtarët e rinjë të Asamblesë komunale të Gjakovës, do ta japin betimin të hënen e ardhshme.

mimoza para komunes
Mimoza para se të hyjë në Kuvendin Komunal pritet nga qytetaret

 

Mimoza policiaMimoza zjarrfikesitMimoza varrezat