Nagavci: Do ta bëjmë Gjakovën të krenohet prapë
Gjakovë- Lëvizja Vetëvendosje në Gjakovë të mërkuren pasdite ka mbajtur tubimin përmbyllës ku është paraqitur alternativa qeverisëse nga kandidatja për kryetare Arbërie Nagavci dhe kryetari Albin Kurti.
Duke përmendur një nga një prioritetet e Vetëvendosjes për Gjakovën Arbërie Nagavci tha se programi që ajo bashkë me ekipin e saj kanë hartuar është zgjidhja më e mirë për komunën e cila dikur ishte shembull dhe motor jo vetëm i zhvillimit ekonomik, por arsimit, kulturës e sportit.
“Do ta bëjmë Gjakovën një komunë që nuk do krenohet vetëm me të kaluaren, por edhe me të tashmen e të ardhmen. Një vend që premton liri për të ardhmen, zhvillim dhe përparim për secilin prej nesh. Lëvizja Vetëvendosje e ka alternativen qeverisëse për Gjakovën e cila do jetë garancia për një jetë më të mirë dhe zhvillim të komunës sonë” tha Nagavci.
Ajo, duke u ndalur tek qeverisja komunale, tha se Komuna e Gjakovës do të qeveriset me transparencë të plotë. Nagavci shtoi se komuna i takon gjithë qytetarëve të Gjakovës dhe se ajo nuk është thjesht një ndërtesë, administratë apo përfaqësim, porse shkon akoma më tej.
“Komuna është e tëra politika, qytetari, ekonomia, shërbimet dhe publikja. Mënyra se si e kanë bërë komunën tregon se si e duan shoqërinë. Cffarë komune përfytyrojmë tregon se çfarë shoqërie duam të jemi”, u shpreh kandidatja e VV-së për kryetare të Gjakovës.
Ndërsa, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se me fitoren e Arbërie Nagavcit në Gjakovë mjerimi social, varfëria, papunësia, korrupsioni, nepotizmi dhe krimi i organizuar do të zhduken njëherë e përgjithmonë. Por, Kruti ka thënë se për këtë gjakovarët duhet të largojnë pushtetin aktual me votë.
“Është e domosdoshme që ne të lirohemi prej këtyre pushtetarëve në mënyrë që të përfitojë Gjakova, qytetarët e Gjakovës dhe tërë Kosova. Mundësia për këtë është 3 nëntori atëherë kur duhet të votojnë për ndryshime, të votojnë për fitoren e demokracisë mbi diktaturen, fitoren e zhvillimit mbi korrupsionin dhe fitoren e Arbërie Nagavcit mbi gjithë kandidatët tjerë të rrejshëm”, tha Kurti.
Lideri i VV-së ka sulmuar edhe kundërkandidatët e Nagavcit duke thënë se ata duan të bëhen kryetare për interesa personale ose të partisë dhe se nuk ja duan të miren Gjakovës.
Në këtë takim foli edhe Driton Çaushi, kandidat për Asamble dhe Dardan Molliqaj, Sekretar organizativ i VV-së si dhe u bë prezantimi i gjithë kandidatëve për Asamble nga lista e Vetëvendosjes për Gjakovën./radiogjakova/