Në Gjakovapress nr.170: KËNDOFSH PËR JETË E MOT NEZAFETE SHALA
Një ngjarje e rrallë kulturore është regjistruar në qytetin e Gjakovës me një koncert unik. Këngë shqipe por edhe nga muzika botërore kanë jehuar me zërin e veçantë të Nezafete Shalës. Sinonimi i muzikës autentike shqiptare Nezafete Shala para disa dekadash, mori hov me incizimet e saj në Radio Prishtinë dhe prej atëherë, është paraqitur në festivale të ndryshme. Me këngën “Lule për të dashurën”, Nezafetja në vitin 1983 ngadhënjeu ne Festivalin Akordet e Kosovës, festival ky i cili mbajti gjallë patriotizmin, frymën e muzikës së mirëfilltë profesionale… Suksesi tjetër u përsërit në vitin 1985, kur ajo fitoi me këngën “Një fjalë goje, një martesë”.
Një zë i kristaltë, i rrallë, i ëmbël, impresionues u dëgjua nga këngëtarja Nezafete Shala. Me këngët e bukura të kompozitorëve shqiptarë dhe botëror që u interpretuan në holin e Shkollës së muzikës Prenk Jakova, shoqëruar me duartrokitje të gjata dhe buqeta lulesh, kaloi mbrëmjen e 14 Shkurtit 2023 koncerti recital i këngëtares gjakovare, Nizafete Shala.
Në repertor të këtij koncerti ishin këngë dhe arie nga kompozitorët e njohur shqiptarë dhe botërorë . Në këtë koncert, u shoqërua në piano nga motra e saj, Nezahate Shala – Zeka. Ndërsa këtë koncert me pjesëmarrje e pasuroj edhe Kori i Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” me dirigjent, Kastriot Sada si dhe piano nga Gent Kumnova.
Kastriot Sada- Drejtor i Shkollës së Muzikës
Jemi mbledhur për shënimin e një ngjarje e cila do të na mbetet gjatë në kujtesë…
Na ka mbledhur sinonimi i muzikës autentike shqiptare dhe jo vetëm, Nezafete Shala.
Nezafetja lindi në Gjakove, qytet i cili ka rritur artistë të mëdhenj në të gjitha sferat e artit.
Nezafetja ka diplomuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë – dega e solokëndimit dhe ka përfunduar specializimin në Zagreb. Arti është gjuha universale e botës, gjuha që bashkon largësitë; gjuha që zhduk dallimet.
Për një kohë të gjatë zëri i artit tonë ka qenë i ndrydhur nga zhurmat shurdhuese të luftës, fjala e kënga jonë kanë qenë të vrara, por ne kemi arritur të ngadhënjejmë mbi te keqen, mbi errësirën qe nuk na është ndarë për shekuj me radhë. Në atë kohë të pakohë arti jonë nuk ka reshtur së ekzistuari, përkundrazi, pikërisht ky shpirt i përbotshëm artistik na ka mbajtur gjallë, na ka ushqyer me shpresë për ditë më të mira.
Pikërisht Nezafete Shala, para disa dekadash, mori hov me incizimet e saj në Radio Prishtinë dhe prej atëherë, është paraqitur në festivale të ndryshme.
Me këngën “Lule për të dashurën”, Nezafetja në vitin 1983 ngadhënjeu ne Festivalin Akordet e Kosovës, festival ky i cili mbajti gjallë patriotizmin, frymën e muzikës së mirëfilltë profesionale…
Suksesi tjetër u përsërit në vitin 1985, kur ajo fitoi me këngën “Një fjalë goje, një martesë”.
Kjo familje edhe gjatë okupimit , e ruajti frymën e melosit popullor…
Nezafetja u rrit në një familje fisnike gjakovare, bija e Faikut dhe e Nazmijes e cila ka insistuar që Nezafetja kurrë të mos e le këngën asnjëherë, edhe atëherë kur vdekja e babait të saj ndikoi shumë në gjendjen emocionale të saj. Dhe po atëherë Nezafetja nuk donte që të vazhdonte më me këndimin…
E përshëndesin shumë znj. Nazmije edhe pse në moshë të shtyer dhe ndonjëherë shëndeti tregohet “koprrac” me jetën tonë, por prapë se prapë sonte gjendet në mes nesh…
Nezafetja si gjithmonë e heshtur por me zë “unik”, e cila sukseset i ka të kamotshme, edhe pse ato nuk i zë në gojë shpesh, por ato janë evidente…
Edhe gjatë provave e takimeve të cilat i kishim këto ditë e tillë ishte, por shpërthente me zërin e saj, ku me të vërtetë ndiheshim me fat që po punojmë me te…
Gjatë një bisede me Nezafeten kohë më parë, më tha që: Kam dëshirë ta mbaj një koncert solistik në Gjakovë, sepse këtë ma ka lënë baba Amanet…, i thash që kur të jesh e gatshme do ta organizojmë, por të lutem ta bëjmë, e ta bëjmë sa më shpejtë…
Dhe ja ku jemi…!
Jam shumë i lumtur që koncerti i parë solistik i bilbilit Nezafete Shala u bë realitet, e ku më mirë se në vendlindjen e saj?!
Nezafete, të falënderojmë që ia bëre këtë nder Gjakovës!
Ne fund dua të parafrazoj një thënie të Faikut drejtuar fëmijëve te tij (babait të ndjerë të Nezafetit): Faiku iu thoshte tërë familjes që çdo ardhje e mysafirëve në shtëpi duhej të shoqërohej me muzikë.
Pra, sonte kemi shumë mysafirë edhe ne këtu!
Këndofsh për jetë e mot Nezafete Shala! Eja e të ja themi këngës!
Nezafete Shala pas koncertit: Jam e lumtur që më në fund arrita ta jetësoi amanetin e babës, që të mbajë një koncert solistik. Besojë se adhuruesit e muzikës u ndanë të kënaqur. Unë e bëra timen. Ishalla iu ka pëlqyer. Do të doja të bëjë prapë koncerte, por nuk i dihet… Ia lëmi kohes!!!
Programi i koncertit
- “Për ty atdhe”- P. Gaci
- “Tash sa ditë e mot”
- “Mollë e kuqe, top sheqere”
- “Doli fëllënza prej kafazit”
- “Zare trëndafile”
- “Kur më vjen burri nga stani”-Dh. Kovaçi
- “Marshallah bukurisë sate”- P.Kurti
- Kori”Ave verum Corpus- W.Mozart
- Kori “Bie lodra”- M.Vako
- “Arie e Lauretes” – Gj. Puccini
- “monologo di Cio-Cio-San”- Gj. Puccini-Op.”Madama Butterfly”
- “Arie e Gildes”- Gj. Verdi
- “Agimet shqiptare” –A. Mula
Në fund të koncertit , Shkolla e Muzikës ndau mirënjohje për Nezafete Shalen me motivacion: ““Për kontributin e dhënë në prezentimin e vlerave të mirëfillta të artit muzikor shqiptar dhe botëror”.