Në Gjakovë gjatë 24 orëve më shumë të shëruar se sa të infektuar!
Derisa të hënën kishte vetëm 3 raste të konfirmuaa me Covid 19 nga Gjakova, sot ky numër është ngritur në 42, prej tyre 30 në qytet, 5 raste në Rogovë, nga 2 raste në Batushë dhe Skivjan dhe nga një rast në Jahoc, Osekhylë, Smolicë.
Nga muaji mars e deri me sot në komunën e Gjakovës, me virusin korona, janë infektuar 1 mijë e 141 pacientë. Pozitive në raportin e fundit është fakti se gjatë 24 orëve të shkuara janë shëruar 55 të infektuar. Deri me sot janë shëruar 649 pacientë kurse kanë vdekur 53 persona. Numri i rasteve aktive në Gjakovë është 443. Kjo shifër e sjell Gjakovën në vendin e katërtë në nivel vendi për nga numri i rasteve aktive.
Në Raportin e sotëm 24 orësh të Spitalit Isa Grezda të Gjakovës,thuhet se 58 pacientë të hospitalizuar janë duke u trajtuar për Covid. Prej tyre 30 pacientë janë të konfirmuar Covid-19 Pozitiv, 4 pacientë të konfirmuar janë negative, 11 pacientë presin rezultatet ndërsa 13 pacientë pritet të testohet. Gjendje më e vështirë tregohet për 30 pacientë të cilët janë me oksigjeno terapi, 6 pacientë në CPAP maskë dhe 1 pacientë të intubuar.