Saturday, March 23, 2024
Aktuale

Në Gjakovë mbahet debati “Filmi kosovar – sfidat dhe perspektiva”

Film Fest Timo Flloko

Në debatin me temën “Filmi kosovar- sfidat dhe perspektiva” të mbajtur të shtunën pasdite, në ditën e tretë të Festivalit të Filmit të Shkurtër në Gjakovë regjisori shqiptar, Mevlan Shanaj, ka thënë se shteti e ka për detyrë që të stimulojë kulturën e vendit të tij edhe pse del në humbje.

“Ndryshe ne nuk mund të kemi prodhim të filmit në Kosovë nëse ne nuk do të investojmë që të shkojmë të paktën në parametrat e rajonit, sepse është një lëndë shumë e kushtueshme”, ka thënë Shanaj. Regjisori i shumë filmave, i cili për herë të dytë po merr pjesë në Festivalin e Filmit në Gjakovë, ka thënë se tani për tani ka prodhime të dobëta, por ka edhe suksese. Për këto të fundit ai ka përmendur Blerta Zeqirin dhe filmin e saj të shkurtër “Kthimi” që triumfoi në “Sundance Film Festival”.

Kjo, sipas tij, të rritë shpresën që produksioni kosovar të jetë në një nivel me ambiciet.

“Jam pro që duhet të prodhojmë dhe të sensibilizojmë opinionin dhe opinioni i përgatitur i shikuesve e detyron krijuesin ose të tërhiqet, ose të kërkojë më shumë, apo t’i hapë krahun atij të riut. Prodhimi i vazhdueshëm do të rrisë cilësinë”, ka thënë Shanaj.

Duke u ndërlidhur me këtë temë, drejtori i “Gjakova Film Fest”, Valdet Avdiu, ka thënë se nuk mund të krahasohet prodhimtaria e filmave me kohën kur janë realizuar para viteve ‘90.

Sipas tij filmat kosovarë të asaj periudhe janë ftuar në strukturat e nivelit evropian. Ai ka përmendur disa prej tyre, si “Proka”, “Njeriu prej dheu”.

“Ne sot shohim filma të të njëjtëve regjisorë, por as për së afërmi nuk janë si ata të para viteve ‘90. Kjo është brengosëse”, ka thënë Avdiu.

Në këtë situatë, sipas tij, tash për tash mënyra më e mirë është investimi në filmat e shkurtër.

Aktori veteran, Sylejman Lokaj, ka thënë se për këtë temë shumë të rëndësishme, është dashur të marrin pjesë e të diskutojnë më shumë filmbërës dhe struktura kulturore të nivelit qendror.

Organizatori Avdiu ka thënë se i ka ftuar shumë nga njerëzit që sot merrem me filmin, por nuk i janë përgjigjur ftesës për këtë debat.

Në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Gjakovë edhe këtë vit njëri nga mysafirët është aktori i njohur, Timo Flloko. “Këtë vit festivali në vlerën e tij thelbësore është kualitativ. Në festival ka debutime të mira të aktorëve të talentuar nga vendet pjesëmarrëse”, ka thënë Flloko. /koha.net/