Në Gjakovë për një vit punësohen 479 ndërsa 18.779 presin punë
Edhe pse viti 2009, me 479 të punësuar, konsiderohet si ndër më të suksesshmit, sa i takon punësimit në Gjakovë, në Qendrën Regjionale të Punësimit (QRP) ende presin punë një armatë e tërë e të papunëve prej 18.779.
Kujtim Dula, drejtor i QRP-së në Gjakovë thotë se këtë vit përmes ndërmjetësimit të kësaj qendre janë punësuar 479 persona që krahasuar me një vit më parë ky numër është për gati 300 të punësuar më i lartë. (në vitin 2008 ishin punësuar vetëm 189 persona)
“Kjo është një rritje e mirë dhe konsideroi se është sukses i QRP –së e cila duke realizuar projekte të ndryshme të organizatave si : UNDP, LUX apo edhe projekte të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka bërë regjenerimin e vendeve të punës” thotë Dula duke kujtuar edhe punësimin sezonal të 131 personave në vjeljen e rrushit në komunën e Rahovecit dhe projektin “Një banor një fidan” ku janë punësuar përkohësisht 182 persona.
Aktualisht në këtë qendër janë të regjistruar 18.779 persona si të papunë, ndërsa shqetësues është fakti se mbi 10.000 janë të moshës rinore, ndërsa në pozitë të vështirë për një vend pune janë edhe femrat e moshës nga 40-54 vjeçe moshë e cila është e pa përshtatshme për punësim.
“Mbi 54 % të punëkërkuesve janë të moshës 16-24 vjeçe çka do të thotë se është moshë që donë përkujdesje më të madhe nga të gjitha institucionet shtetërore në nivel vendi por edhe nga Kuvendi Komunal i Gjakovës” tha Dula.
Ai ka theksuar edhe problemin e mos paraqitjes së një numri të papunëve në këtë qendër dhe ka paralajmëruar se edhe këtë vit do të ketë projekte të punësimit nga UNDP-ia po edhe nga MPMS
“Bëjë apel te të gjithë ata që nuk janë të lajmëruar si të papunë në QRPS që këtë ta bëjnë sa më parë sepse një ditë do të jenë edhe ata shfrytëzues të projekteve të punësimit që bëhen nëpërmes qendrës sonë të punësimit: ka përfunduar Dula. (z.v)