Thursday, April 25, 2024
AktualeLajme

Ngritet rezultati, por ngriten edhe mungesat

Për dallim nga viti i kaluar, por edhe nga gjysëmvjetori i parë i vitit shkollor 2012/2013, rezultatet e gjysëmvjetorit të dytë, apo tërë vitit shkollor në tërësi kanë qenë më të mira, në shkollat e mesme të komunës së Gjakovës. Ky konstatim ka dalur nga të dhënat e publikuara nga drejtoria komunale e Arsimit (DKA), sipas të cilave në vitin shkollor që sapo përfundoi rreth 75% e nxënësve të shkollat e mesme e kanë mbyllur vitin me rezultat pozitiv, ndërsa vetëm 23.5 % me rezultat negativ, apo sukses të pamjaftueshëm. Llogaritur me një vit më herët ky rezultat është për disa nuanca për i mirë, por është shumë më i mirë se ai në gjysëmvjetorin e parë të këtij viti.

Megjithatë, shqetësimi i ngritur vitin e kaluar, faktikisht është bërë më i madh në vitin 2012/2013. Është fjala për mungesat në orët mësimore, të cilat janë regjistruar me shifra relativisht të mëdha. Gjatë vitit shkollor 2012-2013 nxënësit e 6 shkollave të mesme kanë bërë në total 121.814 mungesa. Prej tyre 69.613  të pa arsyeshme, ndërsa pjesa tjetër 52.201 të arsyeshme. Llogaritur me numrin e tërësishëm të nxënësve në shkollat e mesme, që është 5.411, i bije që secili nxënës të ketë bërë mesatarisht 22.5 mungesa gjatë vitit shkollor.

Këtë numër e rëndon edhe më shumë fakti se në këtë vit nuk është llogaritur Shkolla Profesionale “Gjon Nikollë Kazazi”, e cila nga publike këtë vit ka kaluar në shkollë private. E përderisa kjo shkollë nuk është llogaritur në rezultatin e përgjithshëm, ajo e muzikës “Prenk Jakova”, që është futur në llogaritje, nuk ka ndikuar shumë në rezultat, pasi numri i nxënësve të saj është shumë i vogël, vetëm 60 sosh.

Por, këto shifra nuk janë konsideruar si problematike nga zyrtarët e DKA-së, të cilët kanë konstatuar se numri i mungesave është në suaza të normales. Drejtoresah e arsimit Silvana Haxhikadrija, ka bërë të ditur për gazeten se në krahasim me një vit më herët ky numër është ulur për 100 mungesa, por ajo që shqetëson është rritja e numrit të mungesave të pa arsyeshme.

“Në fillim të vitit kam kërkuar që mësimdhënësit të jenë më rigoroz dhe të shënojnë në ditar secilën mungesë. Kjo ndoshta ka ndikuar në numrin e mungesave të pa arsyeshme, por marrë në tërësi, kemi konstatuar se ky numër mungesash është në kuadër të suazave normale dhe nuk paraqet ndonjë shqetësim të madh”, ka thënë ajo.

Haxhikadrija megjithatë ka shtuar se drejtoria sëbashku edhe me drejtoritë e shkollave, po vazhdojnë me përpiekjet e tyre që këto rezultate të jenë edhe më të mira në të ardhmen.

“Ne jemi duke e aplikuar një sistem që të gjitha shkollat t’i kenë bifetë e tyre dhe kjo do të ndikojë në zvogëlimin e numrit të mungesave. Gjithashtu do ta mbajmë të lartë edhe shkallen e rigorozitetit. Por, gjithsesi që qelësi kyq në këtë drejtim mbetet vetdijesimi i nxënësve dhe prindërve që mungesat në orën mësimore të jenë sa më të evitueshme”, ka përfunduar ajo.(A.H)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *