Saturday, April 27, 2024
AktualeGjakova PresssKulturë

Një vit pa poetin e madh Ali Podrimja

Të dielen  mbushet një vit nga vdekja e poetit Ali Podrimja i cili duke  vazhduar  me rrugëtimin e Poezisë për më shumë se gjysmë shekulli,   u bë zëri identitar i Kosovës, zëri që artikuloi dhembjen dhe shpresat e Kosovës, idealet dhe synimet e saj. Ali Podrimja i lindur në Gjakovë, më 28 gusht 1942,  ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin ,   shkroi për Kosovën e vuajtjeve dhe të brengave, për Kosovën e shpresave të mëdha, për Kosovën e idealeve të lirisë. Podrimja ishte gjendur i vdekur në një pyll në anën perëndimore të qyteti të vogël e të qetë francez, Lodeve.  Atje Podrimja kishte shkuar për të marrë pjesë në edicionin e 15-të të festivalit të poezisë “Zërat e Mesdheut”. Qyteti i lindjes Gjakova dhe ai i vdekjes Lodeve kohë më parë janë binjakëzuar.

Vepra e Ali Podrimjes dhe trashëgimia që la pas, e bëjnë atë të pavdekshëm. Zëri i Aliut përmes poezisë, ishte krejtësisht origjinal, zë që më se pesë dhjetëvjetësha diti të skaliste qenësinë e qëndresës dhe të mbijetesës së popullit të tij, duke afirmuar kombin shqiptar, kulturën dhe shpirtin e tij edhe në suaza ndërkombëtare. Ai ishte poeti që diti të sublimojë në veprën e tij të gjitha shqetësimet e një kohe dhe të një epoke. Epoka e Kosovës dhe epoka e shqiptarëve të gjysmës së dytë të shekullit 20-të dhe të fillimit të shekullit 21-të u tha se ishte edhe epoka e Ali Podrimjes.

Për ta kujtuar , autorin e vargut emblematik “Kosova është gjaku im që nuk falet”, redaksia e gjakovapress.info po boton shkrimin “Ali Podrimja dallëndyshja e Ures së Shenjtë” meqë ai ishte emblema e kërcimeve atraktive nga lartësitë.

uraAli Podrimja, pos si poet ishte i njohur edhe si sportist i rrallë

DALLËNDYSHJA E LARTËSIVE

Pos si poet i shquar, Ali Podrimja që nga fëmijëria shquhej edhe për veprimtari sportive. Është i pari kërcimtar nga Ura e fshenjtë. Breza të të tij e kujtojnë guximin dhe bukurinë e kërcimit në stilin dallëndyshe nga kjo Urë. Ali Podrimja, derisa ishte gjimnazist i Hajdar Dushit, vazhdimisht ushtronte në sallën e fiskultures  e  njohur si  “Salla Partizani” që ishte ngjitur me kinaman Hysni Zajmi.

Njëri nga drejtuesit e kësaj salle në vitete e pesëdhjeta  Isa Nuza, kujton  sot punën e zellshme të Aliut në ushtrimet gjimnastikore.

“Pothuajse në të gjitha veglat e gjimanstikes ai tregonte shkathtësi. Në paralele, në unaza, kërcim të kalit dhe gjitha ushtrimet tjera kishin një sharm të vecantë që i epte i riu Ali Podrimja”, theksoj Nuza, duke kujtuar edhe kërcimet  nga Ura e fshenjtë.

“Më kujtohet ai kërcimi  i parë i Aliut që besojë se më nuk do të përseritet asnjeherë. Kishte stil të bukur që ia lakmonin të gjithë kërcyesit që vazhduan pastaj rrugën e tij”, tha Nuza duke kujtuar gjithashtu edhe një rast kur Ali Podrimja në Ulqin, kërcente nga një shkëmbë i lart dhe mahniste publikun.

Nuza që ka sjellë edhe këto dy foto në shoqëri me Ali Podrimen në vitin 1959,  kujton edhe ato ditë rinore kur frekuentonte sallën Partizani , ai ishte i pandarë nga poezia.

“Për një moment nxirrte letren dhe lapsin e krijonte. E pyesnim cka po shkruan Ali?! Ai vazhdonte me botën e tij krijuese” tha Nuza

Gjoksi i i tij i zhvilluar ngrihet disa herë lart nga frymëmarrja e thellë, tek sa ai qëndron në skaj të  Urës. Pas pak çastesh  trupi i tij nis të bie poshtë, për të prekur  ujin e kthjelltë të lumit. Një brohori inkurajimi  dëgjohet më pas në breg nga  disa të rinj.  Vetëm pak çaste më herët Ali Taliani kishte marrë një vendim që nuk e kishte bërë më herët. Dëshironte që të bëhet i pari nga shokët që mund të hidhet nga Ura mbi lumin Dri.

E kaçurreli me  trup të zhvilluar e kishte arritur, për të plotësuar një dëshirë, për tu bërë  edhe një inspirim për shokët e tij që edhe ata të vazhdojnë të kërcejnë nga lartësia që deri atëherë vetëm e kishin ëndërruar. Për shumë kënd në atë kohë kish qenë një çmenduri, por jo për Ali Taljanin, e më pas edhe për shokët e tij.  Kjo kishte ndodhur pasi ata ishin lodhur duke  provuar shkëmbinjtë e lumit Erenik. Ata po dëshironin që të sprovoheshin nga lartësi më të mëdha, kujtojnë bashkëkohanik të tij. Syrin i kishte vënë Urës mbi lumin Dri tek Ura e Fshejt. Deri atëherë ai vend ka qenë jo shumë i njohur për këtë qëllim .  Ka qenë  verë në fund të viteve 50-ta, kur Ali Italiani siç njihej në rrethin e tij,  kishte treguar guximin më të madhë ndër shokët

“I pari ka qenë Aliu. Ai na ka pri, atëherë  kemi kcy 7-8 të tjerë. Deri atëherë nuk kishte kërcyer njeri”, kujton atë ditë  Hysen Nagavci një bashkohanik i Podrimjës. .” Kërcimi i tij na ka inspiruar neve”, tregon më pas Nagavci , tek sa  i vjen keq për humbjen e një shoku të fëmijërisë.

Kërcimi i Aliut me shok kishte rritur edhe famën e vet Urës, ndërsa Ura më pas kishte nxjerr guximtar të tjerë të kërcimeve, që kishin vazhduar një nga një, e cila më vonë do të shndërrohej në një traditë. Ndërsa kërcimet e nisura nga Podrimja me shokë, prej asaj kohe janë  kthyer në një garë, që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Mijëra veta mblidhen çdo vit në atë zonë jo shumë larg Gjakovës,  për të ndjekur kërcimet nga Ura, një  gare unike në trevat shqiptare e më gjerë.

Fillimi  N’erenik te gjiri i Mellës

Erdhi italiani, erdhi italiani, thërrisnin  fëmijët në gjirin e Mellës në lumin Erenik. Me ardhjen e Ali Italianit edhe atmosfera në lum do të bëhej me atraktive. Këtë e bënin kërcimet e tij, kujtojnë kohën e fëmijërisë shok të poetit të ndjerë. Gjiri i Mellës afër urës së Tabakëve,  ishte më i njohuri ku djem të rinj po ushtronin shkathtësitë e tyre të kërcimit, para se ato t’i vazhdonin në lumin Dri. Gjiri ishte i veçantë, pasi një pjesë e madhe e tij ishte e mbuluar nga mella. E për të dashur të bëhet një kërcim, është dashur të vrapohet rreth 7 metra, ndërsa kërcimi bëhej në hap.

“E më i njohur për këtë lloj kërcimi  pa dyshim se ishte Ali Taliani, kujton Shefqet Vokshi një mik i Podrimjës nga fëmijëria. “Kur vinte Aliu të gjithë kthenin sytë nga kërcimet e tij”, tregon më pas Vokshi.

“Edhe unë kam kërcy, por Aliu ka qenë i njohur për kërcimet e bukura të tij. Ato ka qenë art në vete”, tha ai  duke kujtuar ditët e fëmijërisë në poetin e ndjerë.  “Kërcimet  edhe më madhështore i ka bërë fiziku i zhvilluar i tij”, shton më pas Vokshi.

“Në gji të Mellës ka qenë shumë zor të kërcehet, pasi është dashur të vrapohet  dhe të kërcehet në hap”, thotë   Kujtim Shala “Tuki”. Por kjo nuk ka qenë e zorshme për Podrimën. “Ai ka pasur përgatitje, përveç trupit shumë të zhvilluar, Aliu ka qenë edhe njohës i mirë i kërcimeve dhe notit. “Ta shpjegoje për të gjitha. Nga ai  kam dëgjua për shkëputjen, se çka është fluturimi e rënia në ujë. Ai i ka njohur të gjitha”, thotë Shala, një organizator ndër vite i garave nga Ura e Fshjetë.

Italiani, Vokshi e shumë e shumë të tjerë, përveç gjirit të Mellës, kishin provuar edhe gjiret tjera të lumit Erenik dhe më kërcimet që atëherë njiheshin si  “last” (dallëndyshe), ndërsa vazhdimisht po punonin në rritjen e standardit të kërcimeve.

Kujtim Shala, një mik tjetër i poetit dhe një “mahallali” thotë se…” sikur Ali Podrimja të merrte pjesë në garat e Urës së Mostarit do të fitonte garën pa problem. Për atë nuk ka ekzistuar lartësia”.

Bile në disa raste atij nuk i mjaftonte lartësia e Urës, ndërsa po kërkonte alternativa të tjera për lartësi më të mëdha, kujtojnë miqtë e tij kohën e rinisë. Një shkëmb në kanionit të lumit Dri,  pak metra larg Urës, prej dekadave mbanë emrin “maja i Talianit”. Emrin e ka marrë pasi i pari që kishte kërcyer nga ai shkëmb disa metra më lart se Ura,  ka qenë  Ali Taljani. “Kërcimi i tij ka qenë një bukuri e rrallë”, thotë ish kërcyesi Nagavci. E për të mos mjaftuar kjo, shpesh herë Aliu më shokët, kishin ndalur qerret me sanë që po kalonin mbi urë, vetëm për të rritur lartësinë e kërcimit.

“Kemi kcy prej kerreve me sanë, e më vonë edhe autobusët”, kujton ato vite nga në pionierët e parë të kërcimeve Hysen Nagavci (66).

“Është i pari që ka filluar të kërcejë nga shkëmbinjtë e Grykës së Drinit të Bardhë tek Ura e Fshejt afër Gjakovës, nga lartësia rreth 15 metra .. Gjithashtu,  është i pari që ka kërcye nga “Ura e Fshenjt” rreth 18 metra e lartë, madje ka kërcye disa herë rreth vitit 1963  e tutje…    Jam dëshmitar okular i gjithë kërcimeve të tij, pastaj kam vazhduar me shokët e mi..”, tha në ndërkohë Mexhid Yvejsi një tjetër kërcyes i atyre viteve.

“Gjithmonë ka kërcye në stilin “dallëndyshe”, gjithmonë i pari, më së bukuri..”’ kujton më pas ai.

Poeti ndër më të njohurit në trevat shqiptare e më gjerë me nisjen e studimeve ishte larguar pak nga kërcimet atraktive, por jo edhe dëshira për të ndjekur nga afër ata që kanë vazhduar traditën e nisur nga ai . Ai kishte lënë shumë pasardhës.  Por  nga meraku i ditëve të  rinisë, shpesh ai është kthyer së paku për të inkurajuar kërcyesit e rinj çdo vit tek Ura e Fshjetë. Disa edhe i inspironte prania e tij, kur  po shihnin idolin e tyre.

Kujtim Gorani, kërcyesi më i mirë i të gjitha kohërave dhe i vetmi që ka fituar garën ndërkombëtare  nga Ura e Mostarit, thotë se Podrimja për të ka qenë një idhull. Ai kujton  takimet me poetin Podrimja, por edhe vlerësimin që Taljani i kishte bërë atij. “Kam pasur rastin të takohemi me të ndjerin dhe kemi pas një bisedë shumë të gjerë mbi kërcimet nga Ura e Fshejt. Nuk kursej kohën dhe ishte shumë i hapur,i tregonte gjerësisht kohërat kure ai kërcente me shokët e tij, tregonte mbi teknikën e kërcimit të atëhershëm,tregonte se si kanë kërcyer gjatë një dite nga 3 apo 4 herë nga Ura. Por një  që do të më mbetet në kujtesë  gjithë jetën time, ishte kur me tha: “Kujtim ne kemi qenë pionierët e këtyre kërcimeve, por t’i ke shkruar me  shkronja të mëdha për këtë sport, estetika e jote është e pa arritshme”. Mua ma beri zemrën mal kur mi tha këto fjalë”, thotë Gorani.

Ish kërcyesi Mexhid Yvejsi i cili sikur Podrimja më pas kishte vazhduar më shumë të merret me botën e letrave, thotë se i ka rastisur që të lexoj se Podrimja edhe në  vitet e fundit ka qenë aktiv në kërcime. Madje në një rast kishte befasuar edhe kolegët e tij poet, tek po qëndronin në takime poetike në bregdetin shqiptar.

“Para nja dhjetë vitesh, në Shqipëri, andej nga Vlora, në një gji të bukur, rrethuar me shkëmbinjtë të lartë, duke biseduar me disa miq poetë-letrarë, Ali iu thotë: A ka kërcye ndokush nga ajo maje, lartësia rreth 25 -30 metra ?

Jo, u përgjigjën. Atëherë, po ia filloi unë, sefte, tha Aliu dhe pa pritesë e frikë kërceu për bukuri, të gjithë u befasuan, e shikonin me habi….Nuk e ka ditur kush se Aliu përveç poet, shkrimtar, ishte kërcyes shembullor..”, thotë Yvejsi, i cili këtë fakt tha se ka lexuar në gazetat e asaj kohe.

Ndërsa ish miku i tij Shefqet Vokshi, kujton një rast tjetër tek si të rinj po kalonin pushimet në një ishull të Kroacisë. “I ka befasuar dalmatinët në atë kohë”, tregon Vokshi.

“Kam përshtypjen se Podrimja që prej kur ka nis më ec,  ka ditë me notu dhe me kërcye. Këtë e ka bërë edhe afërsia me lumin Erenik, që ka qenë jo shumë larg shtëpisë së tij në lagjen “Mulla Jusuf”, tha Vokshi.