Thursday, April 25, 2024
AktualeLajme

Përgatiten ndërmarrësit e rinj

Vetëm disa ditë pas përfundimit, konkretisht pas rregullimit të objektit, Qendra Inovative e Gjakovës, një investim ky i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka filluar që të jetë në shërbim të të rinjve gjakovarë, të cilët kanë shprehur vullnetin dhe dëshirën e tyre të merren me ndërmarrësi. Tashmë në këtë objekt kanë filluar të organizohen ligjërata për ndërmarrësinë, ndërsa brenda pak ditësh do të fillojë edhe angazhimi konkret i 6 të rinjve të cilët tashmë i kanë përfunduar përgatitjet e tyre në Universitetin e Dortmuthit në SHBA, si njëri ndër universitetet më të mira në botë në fushën e ekonomisë dhe ndërmarësisë.

qendra inovative
Qendra Inovative- Gjakovë

Siç ka bërë të ditur Valdrin Lluka, kryeshef i Agjensionit për Promovimin e Investimeve të Huaja në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, në këtë objekt tashmë janë krijuar kushte të mira për ndërmarrësit e rijnë të cilët do të kenë mundësi t’i shfrytëzojnë ato për zhvillimin dhe rriten e bizneseve të tyre.

Ai gjithashtu ka njoftuar se brenda një jave do të fillojë edhe pjesa e dytë e këtij programi, me ç’rast në Universitetin e Dortmuthit do të shkojnë në trajnim edhe 6 të rijnë tjerë, të cilët po ashtu pas kthimit të tyre do ta ushtrojnë aktivitetin e vet ndërmarrës në kuadër të Qendrës Inovative në Gjakovë.