Gjakova po bëhet me shëtitore të re. Skaj rrugës transite dhe asaj të UÇK-së po shtrohen kubëza, ndërsa brenda ish kazermës, tashmë janë pastruar objektet e vjetra. Shtegu i ri skaj këtyre dy rrugëve, për këmbësorë e çiklist, do të shërbej si shëtitore e mirë për bashkëqytetarët .
Në anën tjetër fillimi i punimeve për rreth-rrotullimin në mes të Stacionit të Autobusëve dhe parkut të madh të qytetit, është vlerësuar si një veprim i mirë nga ana e qytetarëve dhe ekspertëve të komunikacionit.
Sipas tyre ky rreth- rrotullim përpos që do ta lehtësojë qarkullimin përgjatë rrugës “UÇK”, do të ndihmojë edhe në zvogëlimin e tollovive edhe së paku në dy apo tri udhëkryqe tjera kryesisht në rrugën “Fehmi Agani”, apo tek tregu në afërsi të Stacionit të Autobusëve.
Sipas zyrtarëve komunal, një vlerësim të tillë e kanë dhënë edhe ekspertët zviceran të projektit DEMOS, të cilët edhe e kanë bashkëfinancuar ndërtimin e këtij rrethrrotullimi.
Ndryshe, punimet për rreth-rrotullimin që bashkë edhe me shtigjet për ecje pritet të kushtojnë rreth 120 mijë euro, kanë nisur pak ditë më parë dhe sipas punëkryesit ato pritet të përfundojnë në muajin dhjetor.