Pogradeci fton gjakovarët për pushime
Një bashkëpunim mes Gjakovës dhe Pogradecit me ndërmjetësimin edhe të ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka filluar të jetësohet me këmbimin e programeve kulturore. Ambasadori Minxhozi tha se Gjakova është qytet me vlera të larta, qytet me tradita të lashta kulturore e historike dhe i tillë eshte Pogradeci.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, gjatë ditës së shtunë ka pritur delegacionin e prefekturës së Pogradecit, në krye me prefektin Artan Shkëmbin, ndërsa në mbrëmje në pallatin e Kulturës Asim Vokshi u shfaq një program I gërshetuar me këngë, valle, ekspozitë, recitime dhe video prezantim të vlerave turistike të Pogradecit.
Kryetarët e të dy komunave, të Gjakovës dhe të Pogradecit e kanë vlerësuar si rrezatues të bashkëpunimit tani dhe në të ardhmen si në fushën e kulturës, artit, turizmit dhe në segmentet tjera të zhvillimit ekonomik. Rrugë dhe veprim i integrimit të komunave kufitare Kosovë-Shqipëri, kanë konstatuar dy udhëheqësit e komunave Gjakovë-Pogradec.
Kryetarja e komunës Mimoza Kusari –Lila, mysafirët nga Pogradeci i ka njoftuar në tersi për sfidat që ka kaluar komuna e Gjakovës, gjatë dhe pas luftës, për bashkëpunimin politik e qeverisës në mesë partive në udhëheqjen lokale të komunës, pasta edhe për angazhimet e vazhdueshme për një zhvillim ekonomik dhe për një bashkëpunimi me komunat e brezit kufitar me Shqipërinë.
“ Po angazhohemi për një bashkëpunim në shumë sfera të jetës e punës me afro 17 komuna që janë përgjatë kufirit Shqipëri-Kosovë. Për Gjakovën dhe komunat fqinjë kufitare, decenie me radhë kufiri ka qenë element diskriminues. Dhe tani po punojmë që kufiri të jetë artificial dhe ne bashkërisht të përgatisim projekte dhe ato ti realizojmë në të mirë të qytetarëve andej e këndej kufirit”, ka thënë Kusari-Lila.
Tutje ajo ka shtuar se Gjakova është e interesuar që me çdo komunë të Shqipërisë të bashkëpunoj dhe të shkëmbehen përvoja duke realizuar projekte zhvillimore. Sipas kryetares Kusari-Lila, komuna që e udhëheq ajo është e interesuar që të ketë bashkëpunim me interes reciprok edhe me Pogradecin, sepse Pogradeci ka potencial që ofron mundësi të bashkëpunimit në kulturë, art, turizëm dhe zhvillim ekonomik”, ka pohuar e para e Gjakovës.
Prefekti i Pogradecit Artan Shkëmbi, ka thënë në këtë rast se, angazhimi i strukturës udhëheqëse të Gjakovës për një bashkëpunim me komunat e Shqipërisë, është shembull i veçantë dhe tej mase pozitiv nga se përgatit një të ardhme më të begatshme jo vetëm në zhvillimin ekonomik por edhe në afërsinë e qytetarëve të dy shteteve.
“ Ne si prefektura përherë kemi pasur dëshirë që të bashkëpunojmë me komunat e Kosovës, dhe tani fillimisht për ti hapur dyert e bashkëpunimit, ne kemi zgjedhur Gjakovën si të parën pasi qytetarët e saj me ata të Pogradecit i ofron tradita në kulturë, art dhe në lëmi tjera”, ka thënë Artan Shkëmbi, për të shtuar se Pogradeci ofron mundësi të mira edhe në turizëm, dhe ofertat janë mjaftë joshëse. Pogradeci bënë pjesë në pellgun e Liqenit të Ohrit më shumë pika të llojeve të ndryshme turistike”, ka thënë prefekti nga Pogradeci.