Friday, March 29, 2024
AktualeLajme

Shënohet 27 Prilli, dita e të zhdukurve të Kosovës

Meja 1Në “Lëndinën e Pikëllimit” në Meje, pranë varreve të 376 martirëve të Masakrës më të madhe në Kosovë, me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve të Republikës së Kosovës, është shënuar   27 Prilli, dita e të zhdukurve të Kosovës.  Me këtë rast homazhe dhe nderime ka bërë kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, Kryeparlamentari Kadri Veseli, Kryeministri Isa Mustafa, deputet, përfaqësues të subjekteve politike, kryetar komunash, përfaqësues të institucioneve  fetare dhe familjarë të martirëve të rënë.

Fillimisht të pranishmëve ju është drejtuar Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se gjashtëmbëdhjetë vite me parë, në këtë vend që më pas mori emërtimin  shumë domethënës “Lëndinë e pikëllimit”, ishte vend i një krimi të papërshkruar, i një shfrenimi kriminal, ku pa asnjë dallim moshe apo gjinie, u ekzekutuan 376 persona, që të gjithë shqiptarë dhe banues të këtyre anëve dhe që të gjithë civilë e të pambrojtur.

Tmerri i asaj dite, ishte një alarmues se pushtuesi ndjente humbjen, ajo ishte e përcaktuar tashmë për ta sepse krah nesh dhe luftëtarëve të lirisë, ishte edhe bota e civilizuar dhe demokratike. Por, qëllimi i tyre ishte shkatërrimi sa më shumë në masë, të lënë gjurmë sa më të thella  në kohëzgjatje, që të lënë plagë shpirtërore, plagë të parikuperueshme, që të shkaktojnë humbje fizike”, tha ndër të tjera kryetarja Kusari-Lila.

Në fjalën e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Isa Mustafa, foli për angazhimet e Qeverisë në zbardhjen e fatit të pagjeturve, si angazhim i domosdoshëm, që të përfundoj ankthi i pritjes edhe për shumë familjarë tjerë të cilën ende nuk dinë se ku prehen më të dashurit e tyre. Kryeministri Isa Mustafa, masakrën e Mejës e ka vlerësuar si “Karvani i vdekjes”, për të shtuar më pas se kjo masakër dhe masakrat tjera që kanë ndodhur në Kosovë, ishin dëshira e pushtuesit për të na shfarosur si popull në Kosovë.

Fjalë rasti në këtë Akademi ka mbajtur edhe kryetari i AAK-së, z. Ramush Haradinaj i cili shtoi se armiqtë vepruan për të na ndaluar të drejtën për të jetuar në trojet e tona.

Në emër të familjarëve të  martirëve të Masakrës së Mejës e Koronicës ka folur përfaqësuesja e shoqatës “27 Prilli” Drita Sokoli. Ndërsa në fund në varrezat e martirëve janë vendosur kurora lule si dhe nga krijues të rinj janë recituar vargje kushtuar viktimave të masakrës së Mejes.